Zgjedhjet, 5500 policë në gatishmëri
Etleva Delia
Policia e Shtetit kaloi dje në gjendje gatishmërie për ruajtjen e qendrave të votimit dhe Komisioneve Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve,ku ka shpërndarë rreth 5500 efektiva të Rendit, Policisë Rrugore dhe të Kufirit. Nga ana tjetër policia e Tiranës ka hartuar një plan të posaçëm masash për sigurimin e rendit dhe qetësisë publike ditën e zgjedhjeve parlamentare që mbahen ditën e sotme. Në një deklaratë për shtyp policia tha se 458 efektiva të Policisë së Tiranës janë nisur dje në orën 08:00 të mëngjesit, për të kryer shërbimet e caktuara nga eprorët në Dibër, Elbasan, Fier dhe Korçë. Stadiumi “Qemal Stafa” u zgjodh si vendi grumbullues nga ku morën instruksionet e fundit policët e kryeqytetit, që u shpërndanë menjëherë më pas nëpër rrethet e caktuara. Numri i punonjësve të policisë që janë trajnuar për të shërbyer në qendrat e votimit është rreth 5500. Duke qenë se Tirana ka afro 900 qendra votimi, vetëm për zgjedhjet janë planifikuar të angazhohen 1200 punonjës policie. Ndërkohë strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, që nuk janë shpërndarë në qendra votimi, janë vënë në dispozicion të rendit e sigurisë, si dhe kundër kriminalitetit.
Masat për zgjedhjet
Policia e Tiranës, në zbatim të detyrimeve ligjore për zhvillimin normal të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, të 28 qershorit 2009, planifikuar masa për ruajtjen e rendit. Drejtoria e Policisë së Tiranës publikoi planin e masave dhe urdhrat, që janë dhënë nga kreu i policisë së Qarkut. Sipas policisë, ka nisur plani për ngritjen dhe funksionimin e Grupit të Koordinimit dhe Drejtimit të shërbimeve të policisë në zgjedhje. Nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë Shtetit, i është përcjellë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lista e punonjësve të policisë, që do të angazhohen me detyra për sigurimin e Objekteve Zgjedhore dhe shoqërimin e Komisioneve dhe materialeve zgjedhore nga Qendrat e Votimit për tek Vendet e Numërimit të Votave. Të gjitha subjekteve politike të Tiranës, me shkresë të veçantë u është kërkuar dërgimi i programeve dhe zbatimi i detyrimeve, në lidhje me mbarëvajtjen e aktiviteteve elektorale të organizuara nga subjektet e tyre, sipas kërkesave të ligjit “Për Tubimet”. Gjithashtu, në deklaratën e policisë thuhet se Drejtoria e Policisë së Tiranës, ka vënë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme 458 punonjës policie të trajnuar, të cilët do të angazhohen me detyra gjatë zgjedhjeve për Kuvend në Qarkun e Dibrës, Elbasanit, Fierit dhe Korçës. Dje nga ora 11:00 deri në orën 13:00, u zhvillua instruktimi i të gjithë punonjësve të policisë të angazhuar me detyra për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve zgjedhore. Zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë në Qarkun e Tiranës do të zhvillohen në 823 Qendra Votimi të siguruara nga Komisariatet e Policisë Nr. 1, 2, 3, 4, 5, 6 dhe Kavajë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.