Televizioni francez ARTE, reportazh për lejet abuzive të kryebashkiakut të Tiranës

“Figura e Edi Ramës, e konsumuar dhe e korruptuar, s’ka asnjë shans, që ai të jetë kryeministri i ardhshëm”
Korrupsioni me lejet e ndërtimit në bashkinë e Tiranës ka pushtuar mediat e huaja. Televizioni franko-gjerman ARTE bëri një reportazh në prag të zgjedhjeve për modelin e betonizimit të Tiranës. Televizioni ARTE ka një shikueshmëri të lartë edhe jashtë kufijve të Francës e Gjermanisë. Televizioni në reportazhin e tij i referohet shoqërive civile, të cilat kanë kritikuar kryetarin e bashkisë së Tiranës për bllokimin e hapësirave publike. “Ky pallat shumëkatësh, që është ngritur mbi rrugën publike, është ndërtuar nga kandidati i Partisë Socialiste të Tiranës, Dashamir Peza, i cili njihet edhe si një ndër miqtë më të afërt të Edi Ramës. Paradoksi i këtij pallati që ka bllokuar të gjithë hapësirën publike në mes të shumë pallateve, që janë ndërtuar në atë zonë, është se ai është ngritur mbi rrugë, duke zaptuar një hapësirë publike të qytetarëve e për më tepër, ai është kthyer në një pengesë reale për rrugëkalimin e banorëve që janë shtuar së tepërmi në këtë zonë të Tiranës”, thuhet në reportazhin e televizionit francez. Kreu i Lëvizjes “Zgjohu”, Altin Goxhaj, të cilit i është referuar televizioni thotë se, pallati ka zënë rrugën hyrëse të një prej lagjeve më të populluara të Tiranës. Televizioni citon një qytetare, Sofia Vehbiu, e cila ka fituar gjyqin në Gjykatën e Lartë kundër bashkisë së Tiranës për pallatin e ngritur mbi rrugë. Ndonëse kishte një vendim gjykate për pallatin e ngritur mbi rrugë nga një mik i kryetarit të bashkisë, nuk u mor asnjë masë për prishjen e tij. Televizioni francez e quan të konsumuar figurën e kryebashkiakut Rama pas tre mandateve në krye të bashkisë dhe sheh shumë pak mundësi, që ai të jetë kryeministri i ardhshëm i shqiptarëve. Gjithashtu, televizioni francez i është referuar shtypit shqiptar lidhur me abuzimet e çuara në prokurori nga Parlamenti. “Mënyra se si Edi Rama ka organizuar dhe ekzekutuar këtë model korrupsioni, ku i jep 59 leje ndërtimi dy bashkëpunëtoreve të tij, dy ortakëve të tij, dy ish-punonjësve të bashkisë shënon rastin më të rëndë të korrupsionit jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon. Përmasat e këtij abuzimi që kapin vlerën e 1 miliard lekëve të vjetra, nuk mund të mbrohen, nuk mund të mbahen dhe nuk mund të fshihen. Prokuroria, bazuar në detyrimet ligjore, duhet të informojë Kuvendin dhe opinionin publik lidhur me ecurinë e veprimeve hetimore. Në praktikat e ndjekura nga KRRT-ja e Tiranës për dhënien e lejeve të ndërtimit ka shkelje skandaloze të ligjeve dhe abuzim të hapur me detyrën dhe funksionin publik. Komisioni Hetimor, i ngritur nga Parlamenti kërkoi në raportin përfundimtar pavlefshmërinë e vendimeve të KRRT-së së bashkisë së Tiranës”, thuhet në reportazhin e televizionit francez. Televizioni në fund të reportazhit thekson se, zgjedhjet në Shqipëri janë një test i rëndësishëm për demokracinë. Shqipëria në muajin prill u pranua si anëtare me të drejta të plota në NATO dhe aplikoi për statusin e vendit kandidat. Televizioni francez ARTE nuk është i vetmi që e ka akuzuar për korrupsionin me lejet e ndërtimit Edi Ramën. Raporti i Bankës Botërore “Doing Bussines”, ndonëse e rendit Shqipërinë në nivelet më të larta të vlerësimit për sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe përmirësimit të klimës së biznesit, nënvizon se vendi ka probleme kur bëhet fjalë për dhënien e lejeve të ndërtimit. Në vlerësimin e tij për këtë sektor, raporti, i cili pritet të bëhet publik gjatë javëve në vazhdim e rendit Shqipërinë në vendin e 170-të dhe një ndikim të qartë negativ në këtë drejtim ka bashkia më e madhe në vend, ajo e Tiranës. Sipas raportit, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit në nivel global për kohën e gjatë dhe procedurat e panumërta me të cilat aplikantët duhet të përballen për një leje ndërtimi. Modeli negativ për këtë klasifikim mes vendeve të fundit merret veçanërisht bashkia e Tiranës, e cila vlerësohet si më problematikja në Shqipëri për dhënien e lejeve të ndërtimit. Raporti përveç të dhënave të thjeshta analitike konfirmon edhe diferencën e dukshme mes dy alternativave që prezantojnë dy subjektet politike, PD dhe PS, që drejtojnë përkatësisht qeverinë dhe bashkinë e Tiranës. Nëse, në sektorët që lidhen me punën e qeverisë raporti e rendit Shqipërinë të dytën në botë për reformat, në sektorët që lidhen me veprimtarinë e bashkisë, Shqipëria renditet përkrah vendeve të botës së tretë. Raporti konfirmon në mënyrë të tërthortë praktikat konstante të korrupsionit në bashkinë e Tiranës, e cila me anë të pengesave burokratike dhe procedurave të panevojshme i vë bllokadë biznesit, duke nxitur ryshfetin. Këto praktika kanë çuar miliona euro të ardhura në xhepat e kryetarit të bashkisë së Tiranës, ndërkohë që kanë shkaktuar një katrahurë urbane në kryeqytet. Të dhënat e raportit të publikuara tashmë kur shqiptarët po i afrohen datës së votimit, u ofron këtyre të fundit më shumë informacion për modelet, mes të cilave ata duhet të zgjedhin. Edhe raporti “Të bësh biznes 2009”, rezulton të jetë një nga raportet më pozitive që Banka Botërore ka publikuar ndonjëherë për Shqipërinë për sa u përket treguesve që lidhen me kompetencat e qeverisë, ndërkohë që vijon të mbetet në nivelin e raporteve të zeza të viteve të qeverisjes socialiste kur bëhet fjalë për lejet e ndërtimit. Sipas raportit, reformat për hapjen e një biznesi, ulja e taksave dhe shërbimi i tyre on-line, lehtësirat në kreditimin e ekonomisë, mbrojtja e investitorëve të huaj, të gjitha këto reforma të ndërmarra nga qeveria qendrore vitet e fundit e kanë renditur Shqipërinë në vendin e dytë në botë ndër vendet reformatore.
...