Tafaj: Arsimi i mesëm do të bëhet i detyrueshëm
Edhe arsimi i mesëm do të bëhet i detyruar brenda këtij mandati qeverisës, deklaroi dje në një takim në Vlorë, ministri i Arsimit, z. Myqerem Tafaj. Duke marrë pjesë në analizën vjetore të Drejtorisë Arsimore të këtij qarku, ministri pafaj tha se “në bashkëpunim me pushtetin lokal ne do të arrijmë objektivin e braktisjes së arsimit bazë në masën 0% dhe ndihma duhet të jetë edhe për thithjen e nxënësve jo vetëm në arsimin 9-vjeçar, por edhe në arsimin e mesëm, duke e kthyer atë në një arsim të detyrueshëm.”
Kjo deklaratë që paralajmëron një reformë tërësore në sistemin e arsimit parauniversitar, u arsyetua nga ministri Tafaj si një rikthim në cilësi në arsimin e mesëm, e në veçanti në atë profesional. Decentralizimi i sistemit arsimor parauniversitar do të jetë pararojë e kësaj reforme, sipas ministrit. “Decentralizimi dhe dekoncentrimi është një nga objektivat e kësaj qeverie dhe kjo do të shtrihet në të gjithë sektorët. Modeli aktual është modern dhe po ecën në rrugën e arritjes së standardeve të vendeve homologe. Por ky model ka në filozofinë e tij bashkëpunimin e ngushtë dhe rritjen e rolit të pushtetit vendor”, - deklaroi z. Tafaj. Një vëmendje të veçantë do të ketë arsimi profesional, sipas ministrit. Z. Tafaj theksoi se ky arsim që po zhvillohet gradualisht në Shqipëri, gjatë këtyre viteve duhet të ketë një hop cilësor. “Arsimi profesional dhe bashkëpunimi i ngushtë i pushtetit vendor është i domosdoshëm për të thithur interesin e nxënësve dhe prindërve, të të gjithë komunitetit për këtë arsim”, - tha ministri Tafaj. Ndërkohë edhe investimi në bazën materiale të kopshteve dhe shkollave – qofshin këto nëntëvjeçare apo të mesme - do të vijojnë sipas tij në formën dhe masën e katër viteve të mëparshme. “Do të vazhdojmë të rikonstruktojmë e të ndërtojmë shkolla e kopshte. Brenda vitit 2013, asnjë kopsht apo shkollë nuk do të jetë pa kushte e standarde bashkëkohore”, - tha ministri. Në fund të analizës vjetore të Drejtorisë Arsimore të Qarkut të Vlorës, ministri i Arsimit siguroi mësuesit dhe drejtuesit se reforma arsimore do të vijojë më tej, duke vazhduar atë që ai e quajti “revolucionin e nisur të teknologjisë dhe informacionit në sistemin arsimor”, statusin e mësuesit dhe rritjen e vazhdueshme të pagave, si dhe reformë në përmbajtje në ndryshimin e kurrikulave. Reforma në arsimin parauniversitar nisi katër vjet më parë, kur u ndryshua sistemi nga 4 vjet fillore, 4 vjet shkollë e ulët dhe katër vjet shkollë e mesme, në 6+3+3. Më pas u pasua me reforma të tjera si alterteksti, kurrikulat alternative dhe të tjera, për të arritur tashmë në fazën përfundimtare të kësaj reforme tërësore në arsimin parauniversitar, që eci paralelisht me reformën në sistemin e arsimit universitar.
“Përqendrim drejt cilësisë”
Ministri Tafaj ishte dje i pranishëm në mbledhjen e analizës vjetore të arsimit në Drejtorinë Arsimore Korçë. Në përshëndetjen e tij duke u ndalur në punën 1-vjeçare të kësaj drejtorie, ministri Tafaj tha se kryefjala e programit të qeverisë “Berisha II” për arsimin parauniversitar dhe e institucionit të Arsimit dhe Shkencës, është cilësia. “Cilësia e shkollimit do të përcaktojë nivelin e formimit të qytetarëve dhe duhet të jetë e orientuar kah standardeve evropiane. Arsimi shqiptar duhet të jetë pararendës i një Shqipërie evropiane”, -theksoi Tafaj. Ministri i Arsimit dhe Shkencës parashtroi përballë drejtuesve më të lartë të arsimit në Korçë edhe objektivat kryesore të punës në këtë fushë.
“Përfshirja 100% e fëmijëve në moshë të hershme në kopshte, reduktimi i plotë i braktisjes së shkollës në arsimin bazë, ndërkohë që edhe për të rinjtë që përfundojnë shkollën 9-vjeçare duhet të tregohet kujdes i veçantë për t’i tërhequr drejt shkollave të mesme dhe më tej drejt universiteteve”. Ministri Tafaj i quajti këto objektiva si kolonat kryesore, ku duhet të mbështetet reforma cilësisë në arsim. Lidhur me Maturën Shtetërore, ministri Tafaj i vlerësoi të suksesshme rezultatet e këtij viti për Qarkun e Korçës, ku 52% e atyre që kanë përfunduar arsimin e mesëm tashmë vazhdojnë arsim e lartë. Për një cilësi të qëndrueshme, Ministri Tafaj theksoi se duhet të respektohen me përpikmëri të gjitha shkallët e kësaj reforme të rëndësishme në arsimin tonë.
92 vjet nga krijimi i Liceut Francez të Korçës
Korça, qyteti i Mësonjëtores së parë shqipe, nuk mund të kuptohej në fillim të shekullit të kaluar pa Liceun e famshëm Francez dhe kulturën e këtij vendi që do të përqafohej masivisht nga familjet qytetare korçare.
Në shkëlqimin e dikurshëm të saj, Korça dhe liceu do të ishin të pandarë nga njëri-tjetri, ndërkohë që ky qytet në juglindje të Shqipërisë do të cilësohej nga vetë profesorët francezë të asaj kohe si “Parisi i vogël” në tokën shqiptare. Liceu Francez u hap më 25 tetor të vitit 1917, pas përpjekjesh të shumta dhe vetëm pak kohë nga shpallja e Korçës krahinë autonome. Pas mbylljes së gjimnazit grek në qytet, patriotë dhe intelektualë korçarë vendosën të hapin të parën shkollë të mesme të gjuhës shqipe në qytet. Korçarët do t'i lidhte kështu pazgjidhshmërisht një urë kulturore me Francën, kryeqendrën e kulturës botërore. Hapja e Liceut Francez në Korçë ka vlera historike dhe kulturore, sepse shënon çeljen e së parës shkollë të mesme në Shqipëri. Për qytetin juglindor pati një ndikim të fuqishëm, sepse ishte prurja e fuqishme e kulturës franceze në Korçë. Sipas dëshmive të kohës, mësuesi i parë i Liceut ishte një ish-oficer i ushtrisë franceze që aso kohe, në periudhën e Luftës së Parë Botërore, ishte vendosur në Korçë. Dekoing do të bëhej zyrtarisht mësuesi i parë i huaj për t'u mbështetur nga ish-studentë të universiteteve franceze, por dhe pedagogë korçarë të njohur si Thoma Avrami, Llambi Gërmenji, Haki Mborja, Gaqo Geco etj. Nxënësit e parë të kësaj shkolle, që niste nga klasa e pestë deri në klasën e nëntë, do të ndienin fillimisht mungesën e librave shkollorë, pasi të gjitha mësimet kryheshin përgjithësisht në gjuhën frënge. Ato do të mbërrinin nga Stambolli me urgjencë drejt Korçës nga tregtarët që kishin lidhje më këtë qytet të madh të ish-Perandorisë Otomane. E veçanta e këtij liceu ishte se të gjithë studentët që përfundonin plotësisht atë, pas diplomimit, kishin të drejtë të hynin në të gjitha universitet franceze me të drejta të plota ashtu si dhe vetë vendasit. Diploma e fituar në Liceun Francez të Korçës njihej për studime të larta në të gjitha universitetet franceze. Pas vitit 1921, ish-Liceu, i konturuar si institucion, ishte mirëpritur nga korçarët në tërësi, pavarësisht nga cila shtresë ata ishin. Nga ky vit nisën të vijnë dhe profesorët e parë francezë, të cilët u lidhën dhe u dashuruan me këtë qytet të veçantë dhe njëkohësisht plot kulturë në Shqipëri. Si profesorët e parë francezë që erdhën në atë periudhë përmenden zonja Joinon dhe zoti Roland, ndërsa numri i tyre do të shtohej vazhdimisht nga viti në vit. Sipas të dhënave të dokumentuara, gjatë periudhës 1921-1939 kanë qenë 14 profesorë nga Franca që punonin dhe jetonin në Korçë, pa përfshirë këtu 6 drejtorë teknikë po francezë dhe 32 mësuesit shqiptarë