E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një hap i drejtë i Berishës...

Siç dihet, këto ditë, Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, shqyrtoi mundësinë e riatdhesimit të eshtrave të Nënë Terezës, eshtrat e së cilës prehen në oborrin Misionaret e Bamirësisë në kompleksin në qendër të Kalkutës.

Kjo kërkesë përkon me faktin se vitin e ardhshëm bëhen plot 100 vite kur në globin tonë ngjau mrekullia, u lind nëna e ngrohtësie, e ndihmës, e ndërgjegjes, e krenarisë (sidomos për shqiptarët), e bamirësisë, nëna e shpresës, pra pikërisht më 26 gusht 2010 bëhen plot 100 vjet kur lindi Nënë Tereza. Kjo kërkesë e Berishës ngjalli reagime jo vetëm në Indi, nënshtetësinë e së cilës e kishte Nënë Tereza që nga viti 1951, por në mbarë opinion ndërkombëtar. Meqenëse kombësinë e Nënë Terezës janë munduar ta përvetësojnë kombe të ndryshme, ndër ta edhe ai sllavo-maqedonas (sa ironike, Nëna Terezë maqedonase! Ndërsa kombi maqedonas formohet shumë kohë pas lindjes së saj, nëse vërtet ekziston kombi maqedonas) ky hap i Berishës duhet duartrokitur, ngase e madhja Nënë Tereza meriton të prehet në dheun e kombit të saj. Dilemave për nacionalitetin e saj do t’ia vinte kapakun vetë Nënë Tereza, kur ndër të tjera thoshte: “Me gjak jam shqiptare; me nënshtetësi, indiane. Për sa i përket besimit, jam murgeshe katolike. Sipas thirrjes, i përkas botës. Por zemra ime i përket plotësisht zemrës së Krishtit". Ky paragraf flet qartë për një grua madhore e cila në asnjë mënyrë nuk e fshihte identitetin e saj, përkundrazi, krenohej me të.

Sigurisht, ekzistojnë mijëra fakte të cilat glorifikojnë riatdhesimin e eshtrave të Nënë Terezës dhe se kjo ndërmarrje duhet konsideruar vetëm çështje kohe kur me një solemnitet të madh të bëhet rivarrimi i kësaj shenjtoreje aty ku e ka vendin, në zemrën e Shqipërisë dhe natyrshëm ajo hapësirë ku do të prehen eshtrat e bijës së këtij kombi, do të bëhej vend pelegrinazhi; pastaj edhe një arsye tjetër e madhe për të vizituar Shqipërinë.

India, nënshtetësinë e së cilës e kishte Nënë Tereza, me siguri do ta konsiderojë sakrificë largimin e mbetjeve të kësaj shenjtoreje nga vendi ku i dha famën, njëkohësisht nga vendi ku vinte shpresa, ku ndihej fryma e humanitetit për mbarë njerëzimin nga Kalkuta, mirëpo përkundër kësaj, kërkesa e shtetit shqiptar është tejet e arsyeshme, ngase njeriu, edhe si i vdekur prehet më qetë në vendin ku i dha frymën e parë.

Siç dihet, në prononcimet e zyrtarëve të lartë të qeverisë indiane dhe akademikëve të këtij shteti, quhet e pandershme kjo kërkesë e qeverisë shqiptare për bartjen e eshtrave të Nënë Terezës në Shqipëri. Sunil Gangopadhyay, president i Akademisë së Sahitya thotë: “Për sa kohë që ata ishin komunistë, nuk e pranuan Nënë Terezën. E tani, ata vijnë me këtë kërkesë. Ajo letër duhet të hidhet në shportat e mbeturinave”, - mirëpo kjo që thotë presidenti i kësaj akademie, nuk qëndron, për faktin se Nënë Tereza nuk kishte të bënte asgjë me komunizmin, në asnjë fushë të veprimtarisë së saj, tjetër është nëse Shqipëria komuniste e pranoi apo jo këtë misionare. Kjo që thotë kjo akademi, duhet parë si diçka shume banale dhe kjo shkarje në asnjë mënyrë nuk e zbeh kërkesën e drejtë të shtetit shqiptar.

Sido që të jetë, përkundër vështirësive që do të hasë shteti shqiptar për bërjen realitet të riatdhesimit të eshtrave të Nënë Terezës, nuk duhet hequr dorë nga kjo kërkesë, ngase kjo kërkesë është tejet e arsyeshme dhe si e tillë do të perceptohet me kohë edhe në opinionin indian, por edhe në atë ndërkombëtar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›