E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profesionistët e shëndetit, Zbardhet rregullorja e praktikës profesionale

SHKRUAN: Jonida Tashi 23-03-2011 10:38

Studentët e diplomuar për mjekësi, stomatologji, farmaci, infermieri dhe profesione të tjera të këtij rangu do t’i nënshtrohen praktikës profesionale, kushti kryesor për të kaluar në provimin e shtetit, çka do t’i lejojë ata që të ushtrojnë ligjërisht profesionin e tyre. Për këtë arsye, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë (UFSH) publikon rregulloren për “Organizimin e praktikës profesionale për profesionistin e shëndetit në Republikën e Shqipërisë”, në të cilën janë detajuar të gjitha procedurat që do të ndiqen për këtë proces. UFSH sqaron se kjo rregullore nxirret në përputhje me nenin 11 të ligjit nr. 10171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, ndërsa shpjegon se praktikë profesionale është ushtrimi i profesionit nga ana e praktikantit për një periudhë të caktuar kohe, nën udhëheqjen dhe përgjegjësinë e një profesionisti të kualifikuar dhe me përvojë, me qëllim për të fituar titullin profesional dhe për t’u aftësuar që ta ushtrojë atë si i pavarur. Periudha kohore e praktikës profesionale është jo më pak se 9 muaj për praktikantin mjek dhe stomatolog, jo më pak se 6 muaj (përfshi dhe praktikën e programit të formimit, të kryer në përfundim të studimeve të vitit të fundit) për praktikantin farmacist, dhe jo më pak se 3 muaj për praktikantin infermier dhe profesionistë të tjerë të këtij rangu. Ndërsa për profesionistin që ka mbi pesë vjet shkëputje nga ushtrimi i profesionit, periudha e praktikës profesionale është jo më pak se 3 muaj. Sipas rregullores së UFSH-së, do të përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale kandidati i cili provon se për një periudhë të caktuar, në përputhje me kriteret specifike të profesionit që i përket, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni. Sipas rregullores, bazuar në ligjin për profesionet e rregulluara, kandidati që zotëron një dokument zyrtar, për të fituar titullin profesional dhe të drejtën për të ushtruar profesionin si i pavarur, është i detyruar t’i nënshtrohet praktikës profesionale. Po ashtu, rregullorja përcakton që edhe një profesionist, i cili kërkon t’i kthehet profesionit pas një shkëputje prej më shumë se 5 vitesh, duhet t’i nënshtrohet praktikës profesionale për një periudhë të caktuar kohe. Për këtë, çdo kandidat është i detyruar të paraqitet në zyrën qendrore të Urdhrit Profesional (UP) për t’u regjistruar dhe pajisur me dokumentacionin e nevojshëm për fillimin e praktikës profesionale. Përsa i përket zhvillimit të praktikës profesionale, sipas rregullores së publikuar, praktika profesionale synon përvetësimin efektiv të njohurive praktike-teknike dhe etike të profesionistit, duke i garantuar atij aftësitë e domosdoshme dhe përgjegjësinë publike për ushtrimin e pavarur të profesionit. Kështu, praktika profesionale do të kryhet në institucionin shëndetësor që plotëson standardet e domosdoshme për realizimin e kërkesave dhe përvetësimin e njohurive

praktike-teknike dhe etike të praktikantit. Praktika profesionale zhvillohet nën drejtimin dhe përgjegjësinë e një profesionisti të kualifikuar dhe që ka ushtruar profesionin në mënyrë të ligjshme dhe e të pavarur për një periudhë mbi 3 vjet. Për këtë proces, Ministria e Shëndetësisë ka përcaktuar dhe miratuar listën e institucioneve të

akredituara që kanë të drejtë të pranojnë praktikantë, që është e shpallur pranë urdhrit profesional. Ndërsa UP, miraton dhe shpall listën e profesionistëve të cilët kanë të drejtë të udhëheqin dhe mbikëqyrin praktikantë gjatë kryerjes së praktikës profesionale. Por praktikanti ka të drejtë të zgjedhë institucionin dhe profesionistin udhëheqës të praktikës nga listat e shpallura në UP.

Rregullat

Koha e praktikës sipas kategorive

Praktika profesionale zhvillohet nën drejtimin dhe përgjegjësinë e një profesionisti të kualifikuar dhe që ka ushtruar profesionin në mënyrë të ligjshme dhe e të pavarur për një periudhë mbi 3 vjet.

Periudha kohore e praktikës profesionale është jo më pak se 9 muaj për praktikantin mjek dhe stomatolog, jo më pak se 6 muaj (përfshi dhe praktikën e programit të formimit, të kryer në përfundim të studimeve të vitit të fundit) për praktikantin farmacist dhe jo më pak se 3 muaj për praktikantin infermier dhe profesionistë të tjerë të këtij rangu.

Periudha e praktikës profesionale për profesionistin që ka mbi pesë vjet shkëputjeje nga ushtrimi i profesionit, është jo më pak se 3 muaj.

Përjashtohet nga detyrimi për kryerjen e praktikës profesionale, kandidati i cili provon se për një periudhë të caktuar, në përputhje me kriteret specifike të profesionit që i përket, ka qenë i angazhuar në një veprimtari profesionale, brenda ose jashtë vendit, që i ka dhënë mundësi të përvetësojë një përvojë profesionale të mjaftueshme në fushën e këtij profesioni.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›