Flukset për punonjësit sezonalë, nis paraqitja e kërkesave
Nisën dje në orën 8.00 kërkesat për punësimin sezonal të punonjësve rezidentë jashtë Italisë. Do të autorizohen, maksimumi, 60 mijë ardhje
Ka nisur dje në orën 8.00 të mëngjesit gara për punësimin e 60 mijë punonjësve sezonalë, të domosdoshëm kryesisht në sektorët e turizmit dhe bujqësisë, për periudha të caktuara. Dekreti që autorizon ardhjet e tyre është shpallur ditën e hënë të kësaj jave në Gazetën Zyrtare. Këtë vit punonjësit sezonalë mund të vijnë nga këto vende: Shqipëri, Mali i Zi, Kosovë, Bosnja-Hercegovina, Maqedoni, Kroaci, Serbi, Indi, Pakistan, Bangladesh, Sri-Lankë, Ukrainë, Tunizi, Marok, Moldavi, Egjipt, Nigeri, Niger, Gambia, Gana, Filipine. Një risi e rëndësishme që i dallon këto flukse nga të mëparshmit është se për punonjësit sezonalë nga këto vende që kanë qenë për të paktën dy vjet rresht në Itali, punëdhënësit mund të kërkojnë një autorizim shumëvjeçar. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm, këta punonjës sezonalë do të mund të shkojnë në Itali duke mos kaluar më mes flukseve. Në të vërtetë për flukset e sezonalëve nuk ka qenë asnjëherë e nevojshme të nxitohesh, pasi hyrjet e autorizuara nga qeveria italiane janë zakonisht të mjaftueshme për të kënaqur të gjitha kërkesat e paraqitura. Por, gjithsesi, ndërmarrjet bujqësore, hotelet dhe restorantet duhet të mbajnë mirë parasysh që, edhe në rastin më të mirë, do të kalojë të paktën një muaj nga paraqitja e kërkesës deri në çastin kur punonjësi do të vijë në Itali. Ndaj, për të mirën e punës së tyre, u leverdis të nxitojnë. Kërkesat për punësimin sezonal të 60 mijë punonjësve të huaj do të mund të nisen deri në fund të vitit 2011. Për nisjen e kërkesave punëdhënësit mund të kërkojnë ndihmën e shoqatave të kategorisë apo të konsulentëve të punës. Por mund të bëjnë gjithçka edhe vetë. Kërkesat do të paraqiten on-line përmes faqeve të internetit të Ministrisë së Brendshme italiane, dhe që tani është e mundur të përpilohen dhe të ruhen formularët. Kush nuk është i zoti me kompjuterin, mund t’u drejtohet konsulentëve të punës apo shoqatave të kategorisë.