Profesorët e artit në Prishtinë hapin ekspozitën Frekuentime artistike të kohës
me të cilën bëhet e ditur se pedagogët e këtij fakulteti, veç mësimdhënies, në mënyrë intensive merren me krijimtari artistike. Në këtë mënyrë ata i kontribuojnë drejtpërdrejt zhvillimit dhe afirmim të artit pamor kosovar, për një gjë flasin artikulimet tematike e përmbajtësore, të cilat shprehen dhe paraqiten në këtë eveniment artisti. Kjo paraqitje dëshmon se profesorët e këtij institucioni arsimor të Universitetit të Prishtinës, frekuentojnë me frymën e artit të kohës sonë, të quajtur art modern apo postmodern, me kërkesat estetike bashkëkohore, me filozofinë e jetesës dhe mbijetesës, me të vërtetën, të bukurën. Temat që ata i trajtojnë përmes pikturës, skulpturës, grafikës, dizanjit grafik, instilacionit, karikaturës, dëshmojnë më së miri për nivelin e komunikimit të tyre artistik, për mënyrën e vrojtimit dhe konceptimit të realitetit, bashkëkohësisë dhe të sfidave e kundërthënieve të saj. Heterogjen në qasje e koncepte, autorët janë unik dhe homogjen në synimet e tyre për të qenë sa më inventiv e meditativ, sa më mëvetës e universal njëkohësisht. Dhe në këtë aspekt vazhdimisht shtegtojnë nëpër hierarkinë shprehëse të artit pamor, duke filluar nga figuracioni për të arritur deri tek abstraksioni e ekspresionizmi lirik.
Last Updated on E Premte, 30 Prill 2010 19:49