Gjukaj s’faturon rrymë në vendlindje

Drejtori i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Arben Gjukaj, ka gati qe katër muaj që nuk po mundet ta faturojë energjinë e shpenzuar në vendlindjen e tij, Deçan. Kështu bëjnë të ditur burimet e gazetës “Zëri”, ndonëse në KEK e thonë të kundërtën.
Sipas këtyre burimeve, prej 21 shtatorit të vitit që lamë pas, në këtë komunë KEK-u nuk ka asnjë punëtor që të lexojë njësoret elektrikë, apo të shpërndajë faturat për energjinë e shpenzuar.
Problemi mes menaxhmentit të KEK-ut dhe punëtorëve të distriktit të Deçanit lindi kur menaxhmenti i kompanisë i largoi nga puna dy punëtorë, pasi që ata nuk arritën ta plotësojnë performancën e vënë nga menaxhmenti.
Pas këtij vendimi në shenjë pakënaqësie të gjithë punëtorët e distriktit u solidarizuan me ta duke hyrë në grevë, por nuk shkoi edhe shumë kohë kur edhe ata mbetën pa punë, duke e lënë komunën e Deçanit pa asnjë punëtor.
Pas kësaj drejtori i KEK-ut urdhëroi që në atë komunë ta dërgojë një njësi speciale të Korporatës për të shpërndarë fatura, por që në start ata hasën në rezistencë të banorëve të zonës, kur prej asaj kohe e deri më tash, komuna mbetet në bllokadë totale, furnizimi me energji behët kohë pas kohe, ndërkaq faturimi dhe inkasimi nuk bëhet fare.
Punëtorë të distriktit të KEK-ut në Deçan, të cilët nuk donë të flasin me emër për gazetë, për shkak të procesit gjyqësor që ata kanë me KEK-un, thonë se situata në këtë komunë do të vazhdojë të jetë e njëjtë siç është tash, derisa menaxhmenti i KEK-ut nuk merr vendim që të gjithë punëtorët e larguar t’i kthejë sërish në punë.
“Për shkak të mospërmbushjes së performances menaxhmenti pati larguar nga puna 2 punëtorë, por në shenjë proteste 15 punëtorë patën filluar grevën, ku më pastaj edhe ata së bashku me shefin e distriktit u larguan nga puna. Pas disa ditësh, menaxheri rajonal në Pejë mori vendim që 18 punëtoret e suspenduar të rikthehen në punë, por një gjë të tillë e kundërshtoi menaxhmenti i kompanisë dhe ne nuk u rikthyem në punë. Tash ne jemi duke e pritur procesin gjyqësor”,tha ai për gazetë.
Sipas tij, gjendja në këtë komunë vazhdon të jetë alarmante, pasi që për muaj të tërë krejt komuna vazhdon të jetë në kategorinë C të furnizimit me energji elektrike, por edhe të ketë probleme të shumta të cilat nuk ka kush t’i riparojë.
Ish -punëtori i KEK-ut thotë se prej datës 21.09.2012, KEK-u në këtë komunë nuk ka inkasuar mjete, nuk ka lexuar njësorët për energjinë e shpenzuar dhe fare nuk ka shpërndarë faturat për energjinë që qytetarët e kësaj ane e kanë shpenzuar.
Ai thotë se me urdhër të drejtorit gjeneral të KEK-ut, para pak kohësh një njësi speciale e KEK-ut nga Prishtina ka provuar që të shpërndajë fatura në komunën e Deçanit, por sipas tij ata kanë hasur në pengesa nga banoret e zonës dhe janë detyruar të largohen, dhe nuk kanë pranuar që të vijnë në këtë komunë dhe të shpërndajnë fatura.
“Largimi jonë është i padrejtë dhe askush tjetër nuk mund të vijë në vendin tonë. Ne duhet të rikthemi aty ku kemi qenë. Nëse prapë dikush tenton që me urdhër të drejtorit të vijë sërish me shpërnda fatura, ata do të hasin në rezistencë jo nga ne, por nga banorët e zonës që në masë të madhe janë revoltuar për këtë çështje. Largimi jonë nuk është më vetëm problem i joni, por i krejt komunës”,tha ish -punëtori i KEK-ut që nuk deshi të identifikohej për gazetë deri sa të përfundojë procesi gjyqësor.
Ish -punëtori i KEK-ut thotë se edhe pas rikthimit në vendin e tij të punës, gjendja në këtë komunë do të jetë edhe më tej alarmante pasi që, sipas tij, për 4 muaj energjia e shpenzuar nuk është paguar dhe nuk është faturuar.
“Në momentin kur ne do të kthehemi në punë dhe do të fillojë leximi i njësorëve, gjendja do të jetë edhe më e rëndë, pasi që banorët do të ngarkohen me tarifa të mëdha. Ata energjinë e shpenzuar do ta paguajnë shumë më shtrenjtë pasi që kanë tejkalim enorm”,tha ai. Sipas tij, në këtë sezon komuna e Deçanit ka shpenzuar rreth 400 mijë energji, ku për katër muaj KEK-u në këtë komunë ka mbetur pa inkasuar rreth 1.6 milionë euro energji.
Pajaziti: Deçani në bllokadë totale
Fehmi Pajaziti, kryetar i sindikatës së punëtoreve të distribucionit, thotë se gjendja në komunën e Deçanit vazhdon të jetë shumë e rëndë, pasi që, sipas tij, prej rreth katër muajsh në këtë komunë nuk punon asnjë punëtor i vetëm.
Sipas tij, sa më shpejt që është e mundur gjykata duhet të zgjidhë këtë problem, në mënyrë që puna në këtë distrikt të rifillojë menjëherë.
“Zgjidhja sa më e shpejtë e këtij problemi është në të mirë të Kosovës, Deçanit, por edhe vetë kompanisë. Është imazh shumë i keq për kompaninë që në një komunë për katër muaj të mos inkasojë mjete, të mos faturojë energjinë e shpenzuar. Sa më shpejt që është e mundur duhet të zhbllokohet kjo komunë”,tha ai.
Pajaziti tha se vendimi i menaxhmentit të lartë të KEK-ut është jo i drejtë, pasi që,sipas tij, 15 punëtoret janë paguar nga puna, pasi që ata hynë në grevë duke u solidarizuar me 2 kolegët e tyre të cilëve iu shkëputën kontratat e punës, pasi që nuk arritën performancën e vënë nga menaxhmenti. “Çdo vonesë në këtë drejtim edhe më shumë e tensionon situatën në atë komunë”,tha ai.
Edhe Vesel Nikqi, kryetar i sindikatës së punëtoreve të distriktit të Pejës, thotë se gjendja në komunën e Deçanit është e rëndë, pasi që sipas tij prej rreth katër muajve në këtë komunë nuk ka asnjë punëtor. “Largimi i punëtorëve nga puna nuk ka qenë i drejtë, andaj, ata duhet të kthehen sërish në vendet e tyre të punës”, tha ai.
Buzhala: Po inkasojmë në Deçan
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, ka thënë për “Zërin” se një pjesë e punëtorëve të nëndistriktit Deçan iu është ndërprerë marrëdhënia e punës më 29.10.2012,me vendimet e KEK-ut, bëhet fjalë për 15 punëtorë, kurse koordinatori është ende i suspenduar dhe sipas procedurës ende nuk është vendosur në shkallën e dytë në kuadër të KEK lidhur me ankesën e punëtorit.
”Të njëjtit nuk janë rikthyer, sepse janë në procedurë gjyqësore dhe u janë drejtuar gjykatave për realizimin e të drejtave, por deri më sot ne nuk jemi në dijeni se deri ku ka arritur procedura”, ka pohuar ai.
Sipas Buzhalës, në Deçan aktualisht janë duke punuar gjithsej 16 punëtorë, ndërsa inkasimi në tre muajt e fundit ka qenë më pak se 300 mijë euro. Në tetor 2012 janë inkasuar 68 mijë e 900 euro, mbi 90 mijë euro në nëntor dhe 118 mijë euro në dhjetor. /Indeksonline/