Profesori që mbështeti protestat kundër komunizmit
Ishte 76 vjeç. Profesor fizike në Universitetin Tuskon të Arizonës. Një prej frymëzuesve kryesorë të lëvizjes për demokracinë në veçanti të lëvizjës në sheshin Tiananmen të vitit 1989. Pas ndërhyrjes të dhunshme të ushtarëve që kishin marrë urdhra nga Partia komuniste, ku u derdh shumë gjak, në vitin 1990, Fang Lizhi, u transferua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fang Lizhi nuk u kthye më në vendlindjen e tij. Në fakt që prej vitit 1980 konsiderohej si një prej kundërshtarëve më të fortë të maoizmit dhe të marksizmit në përgjithësi. I përjashtuar nga partia komuniste në vitin 1987, sepse akuzohej se frymëzonte studentët në rrugën drejt demokracisë duke shtuar madje se ishte i lidhur edhe me forca të huaja armike ndaj Kinës. Një shkencëtar i vërtetë i cili mbështeste idenë se vetë shkenca nuk kishte nevojë për teoritë marksiste. Në vitin 1989 përpara protestave të studentëve ishte një ndër firmëtarët që kërkonin lirimin e disidentëve. Fill pas masakrës në sheshin Tiananmen u kërcënua nga Partia Komuniste në pushtet dhe me bashkëshorten e tij kërkoi strehim në ambasadën e Shteteve të Bashkura të Amerikës në Pekin. Aty qëndroi rreth një vit për t’u transferuar më pas në SH.B.A. Lajmi i vdekjes së tij - lajm i këtyre ditëve - tronditi shumë njerëz anembanë globit. Vang Dan, një prej liderëve kryesorë të protestës së famshme është shprehur se: “Asnjë fjalë nuk mund të shprehë zinë time” për të vazhduar se “Fang ka frymëzuar të gjithë brezin e 1989 dhe ka zgjuar dëshirën e popullit për të drejtën njerëzore dhe demokracinë”. Në fakt ky lider i demokracisë kishte patur kurajon intelektuale për të akuzuar me të drejtë partinë komuniste kineze se “nuk kishte asnjë sukses për të dëshmuar” pas 40 vitesh të një pushteti absolut. Në të vërtetë Fang, nuk mori pjesë direkt në protestë por mbështeti fuqishëm studentët të cilët pas vdekjes të Hu Yaobang më datën 22 prill, një ditë pas funeralit, filluan protestën në sheshin Tiananmen, në Pekin duke kërkuar të takonin kryeministrin Li Peng. Por komunistët në pushtet as që nuk denjuan t’i prisnin dhe fill pas këtij fakti deklaruan një grevë të përgjithshme në universitetin e tyre ndërsa në ditët më pas u derdhën me mijëra në sheshin Tiananmen. Ishte viti 1989 dhe në Kinë priteshin ndryshime të mëdha. Ndryshime që edhe mund të kishin ndodhur sepse në një moment të caktuar ndonjë nga përfaqësuesit kryesorë të komunistëve kinezë në pushtet kërkonte një linjë më të butë të komunizmit. Ndërsa në ato ditë kryeministri Li Peng kërkonte një linjë të ashpër sepse sipas tij studentët ishin të manipuluar nga forca të huaja. Triumfoi linja e ashpër e kryeministrit dhe më datën 3 qershor, në sheshin e protestuesve u dërguan tanket. Fotografitë që fiksojnë këtë moment janë me të vërtetë të shumta. Pastaj gjaku, dezinformacioni dhe heshtja. Qeveria komuniste e asaj kohe komentoi se mund të ishin vrarë rreth 200 civilë ndërsa 100 të tjerë ishin ushtarë të regjimit, pak kohë më vonë komunistët i ulën disi shifrat e vdekjes. Burime të tjera nënvizojnë faktin se në atë shesh ishin vrarë mbi 10 mijë njerëz. Pas kësaj ploje, presidenti i Komisionit Qendror ushtarak akuzoi pikërisht shkencëtarin Fang Lizhi. Sipas tij, Lizhi ishte armiku i vërtetë i popullit kinez dhe në të njëjtën kohë ishte “dora e zezë” që fshihej pas rebelimit të studentëve. Por studentët nuk kursyen partinë komuniste madje filluan të akuzonin anëtarët e saj si të korruptuar. Ngjarjet e vitit 1989 në Kinë nuk ishin të rastësishme sepse kinezët kërkonin reforma në ekonomi, transparencë dhe lirinë e shtypit. Protesta të shumta pati edhe në shumë qytete të tjera kineze. Pikërisht në këto momente ndërfutet edhe vizita e Gorbaçovit në Kinë e cila ishte parashikuar të kryhej në mes të muajit maj. Kjo vizitë konsiderohej si një ngjarje historike sepse pas 19 vitesh dy fuqitë po bashkoheshin sërish.