E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha në darkën e Joseph Daul: Shqipëria i rezistoi krizës, rritja ekonomike për 2011-ën, 3.8%

12-04-2012 / Gazeta 55

Në fjalimin e tij, gjatë drekës që kryetari i grupit të PPE-ve, Joseph Daul shtroi në Parlamentin Evropian, kryeministri Sali Berisha u shpreh para krerëve të Partisë Popullore, se pas dy viteve të problemeve unike, jeta parlamentare në Shqipëri i është rikthyer normalitetit. Për shefin e ekzekutivit, opozita ka pranuar gjithçka është propozuar, ndërsa e ka cilësuar integrimin vendit si një proces jetik për qytetarët. Ai tha se qeveria është e angazhuar për plotësimin e reformave që synojnë integrimin e vendit. Kreu i qeverisë tha se reformat kanë përparuar, ndërsa jeta ekonomike u shpëtoi ndikimeve të krizës financiare evropiane dhe vitin e shkuar rritja ekonomike ishte 3.8 %. “Dua t’ju shpreh mirënjohjen e thellë për gjithë interesin që ka treguar grupi parlamentar i Partive Popullore ndaj Shqipërisë. Siç e dini, Shqipëria ka pasur një rrugë më të mundimshme, por dua t’ju siguroj se bëhet fjalë për një rrugë përparimi. Pas dy vite me probleme unike, siç do të doja t’i cilësoja, jeta parlamentare tani është krejtësisht normale. Ju siguroj se jam udhëhequr gjithmonë nga sensi i respektit të plotë ndaj opozitës, nga parimi se ajo duhet respektuar gjithmonë. Dua të theksoj edhe një herë se, pas zgjedhjeve lokale, jeta parlamentare është kthyer plotësisht në normalitet. Opozita ka pranuar gjithçka është propozuar ajo ditë e më pas, arritëm një marrëveshje që deri tani është respektuar plotësisht nga të dyja palët, pra jeta parlamentare është krejt normale, procedojmë me reformat e ligjeve, që kanë nevojë për 3/5 e votave për t’u miratuar dhe vendi nuk synon gjë tjetër më të madhe se integrimi evropian, një proces i cili duhet mbështetur tërësisht mbi performancën. Bindja ime e thellë është që ky proces është jetësor për qytetarin shqiptar. Po punojmë dhe qeveria është e angazhuar për integrimin, reforma elektorale ka përparuar shumë, reformat e tjera kanë përparuar, jeta ekonomike u shpëtoi ndikimeve të krizës financiare evropiane dhe vitin e shkuar rritja ekonomike ishte 3,8 %”- u shpreh kryeministri Berisha.

Joseph Daul: PPE mbështet integrimin e Shqipërisë
Në fjalën e tij, z. Joseph Daul, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj konference, tha se ajo shpreh mbështetjen e PPE-ve për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai siguroi se Partitë Popullore do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për të mbështetur gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. “Evropa është pa diskutim zgjidhja dhe jo problemi, kështu që, zgjerimi është në synimet tona dhe në vëmendjen tonë në të ardhmen. Ky takim, pikërisht në një periudhë të vështirë për BE-në dhe në kohën e krizës financiare është një tregues dhe një sinjal shumë i fortë për rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së për PPE-të dhe ne si grup parlamentar i PPE do të bëjmë gjithçka për të mbështetur integrimin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kryetari i grupit të PPE-ve në Parlamentin Evropian, z. Joseph Daul.

Kukan: Ky, viti i mundësive për vendet e Ballkanit Perëndimor
Gjatë punimeve të Konferencës, zoti Kukan theksoi: “PPE ia ka dalë mbanë në krijimin e një formati të duhur për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për miqtë dhe kolegët tanë në Ballkan si dhe për ne. Fjala është që diskutimi të mbahet në nja atmosferë konstruktive dhe kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Disa vjet më parë ndërmorëm një angazhim ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku u theksua se ardhmja e këtij rajoni është brenda BE-së. E di që duhet thënë e ri-thënë pasi është një çështje thelbësore. Ky vit është viti i mundësive për vendet e Ballkanit Perëndimor. Axhenda e integrimit është e qartë. Miqtë tanë shqiptarë kanë një listë prioritetesh dhe reformash me të cilat duhet punuar deri sa të bëhet vlerësimi i radhës, përsa i përket integrimit evropian. Siç dëgjuam nga Kryeministri Berisha, ata po punojnë fort në të gjitha këto drejtime, por që kjo të jetë plotësisht e suksesshme lipset dialogu dhe bashkëpunimi midis të gjitha palëve. Dhe rezultatet konkrete që duhet të vinë nga ky dialog janë argumenti më bindës për ne.

Bernd Posselt: 5 vendet e BE-së të njohin Pavarësinë e Kosovës
Eurodeputeti Bernd Posselt MEP, duke u ndalur te integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, theksoi se është shumë e rëndësishme që 5 vendet e mbetura të BE-së të njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për të ardhmen e BE-së, tha ai, ndërsa theksoi se duhet të punohet edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›