E Shtunë, 31 Tetor 2026

Profile gjeneratash

Personazhi 1 kishte ardhur në këtë jetë në një dhomë të ftohtë, pa rrymë dhe të ndriçuar zbehtë nga një pishë që po digjej. Prindërit e tij ishin të varfër, nuk dinin të shkruanin e as të lexonin. Fëmijërinë e kishte të vështirë dhe shkollimin fillor, po ashtu. Dimrat ishin të gjatë dhe rrobat e tij të shkurtëra. Në klasë, tërë ditën dridhej nga të ftohtit, sepse këmbët i kishte qull. Megjithatë mësimet i dëgjonte me vëmendje të madhe dhe shumë shpejt u dashurua në shkollë. Mësuesin e respektonte, e çmonte dhe e donte. Shkollimin e mesëm e kaloi në një entuziazëm të paparë, edhepse setra e hollë nuk e mbronte nga të ftohtit e ashpër të dimrit dhe dreka e tij ishte një copë e ftohtë e bukës së misrit. Dhoma që kishte zënë në qytet nuk kishte ngrohje dhe netëve të gjata, kur shkruante dhe lexonte, ngrohte duart te poçi elektrik – një arritje e asaj kohe.
Sidoqoftë, ditë më të mira erdhën dhe kur u regjistrua në fakultet, ai ishte një djalë pedant, i pashëm dhe me sjellje prej njeriu të kulturuar. Studionte me zell dhe lexonte edhe përtej planit të provimeve. Frekuentonte kinemanë dhe shumë shpesh edhe dërrasat e teatrit. Vajzat e reja e shikonin tinëz dhe ofshanin. Jo vetëm kreu provimet, por edhe u përgatit shumë mirë për profesionin e ardhshëm. Pas studimeve, filloi të punonte profesor dhe në shkollën ku jipte mësim, ai reflektonte edukatë, kulturë, erudicion dhe sjellje të rafinuara. Fliste gjuhën e pastër, gati letrare. Ishte sportist i zoti dhe shumë i shëndetshëm. Letërsinë e donte dhe njihte shkrimtarët shqiptarë dhe botërorë, bashkë me rrymat e gjeneratat e mëdha të tyre. Kishte njohuri të mira për muzikën, pikturën dhe artet, në përgjithësi. Artin e shtatë, në veçanti. Njihte historinë e botës dhe sidomos të popullit të tij. Fliste rrjedhshëm dhe dinte si bëhet debat. Në rrethe njihej për diapazonin e tij enciklopedik. E dinte imtësisht gjeografinë e vendeve ballkanike dhe vendodhjen e vendeve dhe qyteteve të botës. Me kohë, krijoi familje dhe vazhdoi rrugën e jetës duke reflektuar kulturë kudo që shkonte. Kokën e kthente nganjëherë prapa (nuk harronte nga ia kishte nisur), por shikimi i tij ishte gjithmonë përpara, vetëm përpara.
Personazhi 2 është djali i Personazhit 1. Ai ka lindur kur standardi i jetës ishte europian. Nga prindërit kishte të garantuara të gjitha kushtet jetësore dhe sidomos edukatë dhe kulturë. Ende pa shkuar në shkollë, pati rastin të njihej me botën shumë të gjerë që prindërit ia tregonin. Ishte çun i shëndetshëm dhe kurioz. Shkollimin fillor e filloi dhe e mbaroi në kushte ideale për të mësuar, për t’u edukuar dhe kulturuar. Rrethanat i shkaktuan pak pengesa në shkollimin e mesëm, por shpejt erdhi koha e fakultetit. Tani, në oborrin e universitetit, ai zbret nga vetura luksoze dhe me vete ka laptopin. Ndihet i plogësht dhe është pa disponim. Flokët i ka të pakrehura dhe rrobat si mos më keq. Këpucët shumë të pluhurosura. Nuk shkon direkt në ligjëratën e parë, pa e pi një kafe matanë rrugës, ku do ta hapë kompjuterin e prehërit dhe do të azhurnohet me të rejat. Edhepse e ka botën në prehër, vizioni i tij nuk kalon cilësitë anësore të internetit, sikur lojërat dhe chat-i. Edhe kur hyn në ligjërata, nuk e ka mendjen aty. Me profesorin nuk sillet mirë. I duket i dalë boje. Seç flet për gjëra tashmë të tejkaluara, sikur letërsia, arti dhe kultura. Seç flet gjepura për historinë dhe traditën. Përmend disa libra, që kinse po u dashka t’i  lexonin, përpara se t’i nënshtrohen provimit. Mezi pret pauzën për të dalë prapë në kafene. Me cigare në njërën dorë, me tjetrën merr karriken nga tavolina fqinje, pa e pyetur fare çiftin që e kishte në “pronë” atë. Rrëzon çantën e gruas, por s’di të kërkojë falje...
Nuk i lexon gazetat e as revistat. Romanin e fundit e ka lexuar para 10 vjetëve, i shtyrë atëherë nga i ati (i cili, edhe sot e ka gjithmonë një të tillë afër vetes). Nuk ka njohuri për shkrimtarët botërorë e as ata shqiptarë. Përveç muzikës në telefonin e tij të ri (një lloj recitimi, i përcjellë me sharje pa fund), nuk di tjetër zhanër të këtij arti hyjnor. Nuk di të numërojë tre lumenj të Kosovës dhe as idenë më të vogël ku është Nili. Gjuhën standarde e injoron, por tallet edhe me gegnishten. Për familjet e popujve dhe të gjuhëve as që ka interesim. Historinë e përbuz si një degë të folklorit dhe thotë se Skënderbeu ka jetuar para 2000 vjetësh. Për Lidhjen e Prizrenit nuk di më shumë dy fjali, sikur edhe për Luftën e Trojës. Ka informata të mjegullta për Pavarësinë e Shteteve të Amerikës, sepse ka parë një film, që e ka lënë në gjysmë se ishte shumë monoton. Nuk merret me asnjë sport dhe mbushet frymë kur ngjitet shkallëve të apartamentit. Për të krijuar familje as që ka menduar. Martesa është diçka që i takon të kaluarës dhe ai e shikon atë si shumë të dalë mode. Në provimin e fundit të fakultetit, e kaplojnë djersë të ftohta sepse, pasi ka kaluar gjysmë ore pa u përgjigjur në asnjë pyetje, me tmerr ka kuptuar se fletët e vockëla që i kishte marrë për të kopjuar, nuk përputheshin me pyetjet.
Personazhi 3, një profil i parëndësishëm në mes të dyve, është në “luftë” me Personazhin 1 dhe e përkrah Personazhin 2. Mirëpo, e ka vetëm një pyetje: Kush e ka fajin që e humbëm rrugën?

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›