Sekretarja Hillari Klinton, zv/kryeministrit Ilir Meta: “Shqipëria, një partnere e denjë e SHBA-ve”
Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm Ilir Meta është takuar gjatë pritjes transatlantike që u mbajt në Nju-Jork me Sekretaren e shtetit, Hillari Klinton, e cila ka konfirmuar statusin e privilegjuar që do të kenë - edhe në të ardhmen - marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe SHBA-ve
TIRANE – Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton vlerëson Shqipërinë si vendin mik më të denjë të SHBA-ve. Në takimin e zhvilluar dje me ministrin e Punëve të Jashtme Ilir Meta, Klinton shprehu besimin e qeverisë Berisha, për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta mori pjesë në darkën Trans-Atlantike e cila u shtrua nga Sekretarja e Shtetit të SHBA, Hillari Klinton, organizuar gjatë Sesionit të 64-t të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në të cilën ishin ftuar Ministrat e Jashtëm të vendeve të BE-së dhe NATO-s. Gjatë kësaj darke Ministrat e Jashtëm të Aleancës së Atlantikut diskutuan rreth një sërë çështjesh të një rëndësie të veçantë për paqen dhe sigurinë e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së.
Sekretarja e Shtetit Klinton, e përshëndeti Metën për marrjen e funksioneve dhe i uroi atij suksese në ushtrimin e kësaj përgjegjësie të rëndësishme politike për Shqipërinë.
Klinton i konfirmoi Metës vullnetin e SHBA për një bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve në të gjitha nivelet dhe i theksoi atij besimin e plotë te roli tepër konstruktiv dhe i rëndësishëm që Shqipëria ka luajtur dhe do luajë si një partnere e afërt e SHBA për mbarëvajtjen e sigurisë, paqes dhe stabilitetit rajonal.
Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, në emër të qeverisë shqiptare e siguroi Klinton për angazhimin maksimal të Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve si anëtare e NATO-s dhe dedikimin e qeverisë për t’iu afruar sa më shpejt integrimit të plotë evropian.