Vitet në vijim të shërbejnë për forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe Izraelit

Kryeministri Berisha ka promovuar dje në Pallatin e Xhamtë, reformat që e kthyen Shqipërinë në një vend-lider në klasifikimet e organizmave të specializuara
TIRANE – Në kuadër të punimeve të sesionit të 64-t, të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar një seri takimesh me personalitet më të larta botërore dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare. Takimet u përqendruan në angazhimin e qeverisë për reforma të gjithanshme. Në prani të krerëve më të lartë të shteteve të ndryshme, kryeministri Berisha ishte i pranishëm në hapjen e Debatit të Përgjithshëm të Sesionit të 64-t të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Ky panel u fokusua në Raportin Vjetor të Sekretarit të Përgjithshëm mbi punën dhe nismat e Organizatës dhe u prezantua nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun.
Në këtë panel morën fjalën e tyre për të diskutuar Presidenti i SHBA-ve Barak Obama, Presidenti i Brazilit Lula, Kryeministri i Suedisë Reinfilt, Presidenti i Kinës Hu Jintao, Kryeministri i Anglisë Gordon Brown, Kryeministri i Italisë Silvio Berluskoni, Presidenti i Francës Nikola Sarkozy etj.
Seanca u përshëndet nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Një diskutim që vijoi më tej dhe në drekën zyrtare si dhe Tryezën e Rrumbullakët të Kryetarëve të Shteteve dhe të qeverive, ku ishte i pranishëm dhe kryeministri i Shqipërisë Berisha.
Në diskutimet e tyre liderët botërorë u ndalën në sfidat që humaniteti ka përpara dhe bashkëpunimin mes vendeve për përballimin e tyre.
Kryeministri Berisha do të mbajë diskutimin e tij më 26 shtator dhe në fjalën e tij, kreu i qeverisë shqiptare do të fokusohet në mbështetjen e Shqipërisë për Organizatën e Kombeve të Bashkuara, kontributin e Shqipërisë në paqen dhe sigurinë globale në kuadër të NATO-s e më gjerë, njohja e pavarësisë së Kosovës, objektivat e mijëvjeçarit për një zhvillim të qëndrueshëm.
Gjithashtu, gjatë në vijim të vizitës në SHBA, Berisha ishte i ftuar në Konferencën “Zhvillimi dhe Bashkëpunimi mes vendeve në luftën kundër varfërisë”, organizuar nga Millenium Challenge Corporation dhe Organizata “Interaction”.
Millenium Challenge Corporation, agjencia e qeverisë amerikane, e cila ndihmon vendet në zhvillimin e tyre, bazohet në parimin se ndihma më eficente ndaj këtyre vendeve është forcimi i një qeverisjeje të mirë dhe investimi tek njerëzit që promovojnë rritjen ekonomike.
Fjala përshëndetëse e Kryeministrit Berisha në këtë eveniment u fokusua mbi rëndësinë e reformave në luftën kundër korrupsionit, pjesë thelbësore e së cilës janë edhe hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare me mbështetjen jetike të Millenium Challenge Corporation. Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha, shprehu mirënjohjen dhe falënderimin më të thellë për qeverinë e SHBA për ndihmën bujare që i kanë dhënë vendit përmes Millenium Challenge, duke nënvizuar se këto fonde ishin të një eficence dhe ndihme të madhe për zhvillimin e vendit.
Kryeministri i njohu të pranishmit me faktin se këto para u përdorën në disa projekte të rëndësishme e të suksesshme, të cilat ndryshuan shumë vendin dhe luftuan burokracinë dhe si rrjedhojë korrupsionin si Regjistrimi i Biznesit (ONE STOP SHOP), i cili ndihmoi shumë njerëzit e biznesit dhe komunitetin e biznesit në përgjithësi.
Më pas, Kryeministri u ndal në rëndësinë e Prokurimeve Elektronike në luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit. Shqipëria, tha Kryeministri, është i vetmi vend që zbaton vetëm Prokurime elektronike.
Këto para, shtoi Kryeministri, kanë rëndësi, sepse reformat janë jetike për të luftuar korrupsionin. Kështu u krijua ONE STOP SHOP për lejet dhe licencat, menjëherë pasi qeveria hoqi 2 të tretat e tyre.
“Nuk ka asnjë mënyrë më të mirë dhe eficente për të luftuar varfërinë dhe mizerjen, sesa lufta kundër korrupsionit, ndaj jam shumë i lumtur se kjo iniciativë e nisur nga Presidenti Bush u mbështet plotësisht edhe nga Presidenti Obama. Kjo në bindjen time është një nga ndihmesat më të mëdha që SHBA i ka dhënë vendeve të tyre mike si Shqipëria”, tha Kryeministri Berisha.
Gjatë vizitës në SHBA, kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryeministrin e Australisë, Kevin Rudd. Gjatë bisedës, u diskutua për fuqizimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, veçanërisht në fushën ekonomike.
Kryeministri Berisha i kërkoi Kryeministrit të Australisë që, përmes lidhjeve dhe kontakteve me vendet e tjera, të ndihmojë në njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe gjeti gatishmërinë e plotë të homologut të tij në këtë drejtim.
Gjithashtu, Berisha u takua edhe me Presidentin e Libanit, Michael Sulayman.
Gjatë takimit, u diskutua për zhvillimin e marrëdhënieve tradicionale midis dy vendeve dhe intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike.
Presidenti i Libanit vlerësoi si mjaft pozitive zhvillimin e Shqipërisë, si dhe tolerancën fetare të admirueshme që ka Shqipëria.
Kryeministri Berisha u shpreh se do të mbështeste forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe u ndal në çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Libani Presidenti i Libanit, Sulayman, u shpreh se kjo çështje është në vëmendjen e qeverisë dhe shtetit të Libanit.
Kryeministri Berisha u takua dje edhe me drejtues të Bangladeshit dhe të Tanzanisë, me të cilët u fol për njohjen e shpejtë të pavarësisë së Kosovës, shtetit më të ri ballkanik, vendim që do t’i kontribuonte rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në botë.
Kryeministri Berisha merr një mesazh urimi për rikonfirmimin në krye të qeverisë, nga kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu
Kryeministri Sali Berisha ka marrë një mesazh urimi nga kryeministri i Izraelit, Beniamin Netanyahu me rastin e riemërimit të tij si kryeministër i Shqipërisë. Netanjahu uron Berishën për sukseset e vendit dhe njëherazi shpreh angazhimin e tij për forcimin e lidhjeve ndërmjet Izraelit dhe Shqipërisë.
“Në emër të qeverisë së Izraelit, ju përcjell urimet e mia për rizgjedhjen tuaj si Kryeministër i Shqipërisë, si dhe urimet e mia më të mira për suksesin tuaj në drejtim të vendit tuaj drejt prosperitetit dhe zhvillimit të mëtejshëm. Unë angazhohem në forcimin e lidhjeve mes Izraelit dhe Shqipërisë në vitet në vazhdim”, përfundon mesazhi i kryeministrit izraelit, Beniamin Netanjahu.