E Diel, 1 Nëntor 2026

Profili i lektorëve, me një hartë nga Italia në Rusi, Kinë e Japoni

14-08-2011 / Gazeta 55

Seminari XXX Ndërkombëtar i Prishtinës për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nis të hënën

Seminari XXX Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të nisë këtë të hënë. Për më shumë se dy javë 120 mysafirë nga e gjithë bota do të vijnë në Prishtinë për t’u bërë pjesë e edicionit jubilar të Seminarit të tridhjetë. Irena Sawicka, Andrei Sobolev, Agostino Giordano, Chen Fenghu, Katarzyna Taczynska, Isabela Dabrowa e Zhai Hualiue janë vetëm disa nga shumë emrat e njohur të albanologjisë nëpër gjithë botën, që do të ligjërojnë dhe referojnë për tema të ndryshme. Albanologët vijnë nga Polonia, Rusia, Italia, Kina, Turqia, Greqia, Amerika, Gjermania, Japonia, Austria e vende të tjera.
Megjithatë, fokusi i sivjetmë sipas drejtorit të Seminarit, Bardh Rugova, do të jenë studiuesit e rinj të albanologjisë. “Ne me mburrje, gjithmonë kemi thënë se albanologët kryesorë jashtë trojeve shqiptare janë studentët e këtij seminari dhe ideja është që të investojmë në kuadrot e reja të albanologjisë në botë”, ka thënë Rugova, në një konferencë për media, dy ditë para se Seminari i tridhjetë të nisë punimet. Ky fokus që ka qenë edhe viteve të kaluara, albanologjia ia ka parë hairin. Rugova ka thënë se vetëm këtë vit janë hapur dy degë të rëndësishme të albanologjisë në Çeki dhe Poloni. “Këto dy degë janë hapur nga ish-seminaristë studentë të këtij seminari”, ka thënë Rugova.
E edicioni jubilar i seminarit nuk do të kalojë pa u festuar. Themeluesit e tij do të mblidhen të premten e 19 gushtit në një tryezë ku do të flasin për ndikimin e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare në albanologji.
Drejtori i parë i seminarit, Idriz Ajeti, më pas Rexhep Ismaili, Ramë Buja, ministër i Arsimit, Laurent Balle, Liman Matoshi e Begzad Baliu do të jenë referuesit e kësaj tryeze. Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Bardh Rugova, ka paralajmëruar se as këtë vit format e punës nuk do të ndryshojnë shumë. “Do të jenë kurset në tri nivele për studiuesit e huaj dhe kemi paraparë ligjërata, referime dhe ekskursione nëpër Kosovë”, ka thënë Rugova. Dy ditët e fundit të seminarit të këtij viti do të jenë të rezervuara për sesionin shkencor të gjuhësisë dhe letërsisë shqipe. Në seksionin e parë, sipas Rugovës, do të diskutohet dhe debatohet për “gramatikën e shqipes në tekstet shkollore”, ndërsa në seksionin e letërsisë për “letërsinë shqipe të diasporës”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›