E Shtunë, 31 Tetor 2026

Problemet e PS-së me ligjin

14-08-2011 / Nga Lavdrim Lita

Partia Socialiste po përballet kohët e fundit më një “armik” të vendosur, të pakorruptueshëm dhe të pakthyeshëm: ligjin. Është fakt dhe jo opinion që disa sentenca të njëpasnjëshme gjyqësori po nxjerrin në pah mangësi të theksuara të Partisë më të madhe opozitare me njohjen dhe shkeljen e ligjeve dhe të Kushtetutës. Kësisoj janë regjistruar brenda pak javë disa vendime gjykate të shkallëve të ndryshme kundër deputetëve dhe padive të Partisë Socialiste. Drejtësia vonon, por nuk harron. Fillojmë me gjobitjen që Gjykata e Tiranës penalizoi deputeten socialiste Ermonela Felaj për shpifje ndaj kompanisë “Ferar”. Ish-prokurorja e Beratit, një njohëse e mirë e ligjit ka shkelur në dërrasën e kalbur të një konference të urdhëruar për shtyp ku akuzonte kompaninë për marrjen e një koncesioni për ndërtim hidrocentrali në Bënçë. Znj.Felaj në muajin janar diskreditoi në publik me akuza të forta ish-ministrit Genc Ruli dhe kompanisë në fjalë.
Për shpifje u gjobit me 10 milionë lekë të vjetra edhe deputeti tjetër socialist Eduart Shalësi ndaj deputetes, Albana Vokshi. Vendimi i gjykatës arsyeton se akuzat e hedhura nga deputeti Shalësi janë të pabazuara në fakte. Vala e akuzave të deputetëve socialistë ishte e njëhershme si dhe përgjatë disa muajve, cenuan integritetin moral të deputetes demokratike, duke tentuar kështu përbaltjen e figurës së saj si përfaqësuese e partisë në pushtet. Gjykata i ka cilësuar si shpifje të dy rastet e paraqitura për gjykim dhe ka vendosur t’i dënojë me 10 milion lekë secili të dy deputetët socialiste, duke dhënë edhe një leksion politikanëve shqiptarë për deklaratat e tyre, shpeshherë të pafre. Në gjykim për shpifje janë edhe deputetë si Erjon Braçe, Vasilika Hysi, Taulant Balla dhe Eltar Deda.
Mirëpo një rast i veçantë është faulli kushtetues i ish-deputetit shkodran Ilir Beqja, të cilit  iu hoq mandati nga Gjykata Kushtetuese, pasi kishte përfituar fonde publike në kundërshtim me ligjin në Bashkinë Durrës. Po kështu Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e deputetit socialist Saimir Tahiri ndaj vendimit të byrosë së Kuvendit të Shqipërisë për marrjen e masës disiplinore të përjashtimit të kërkuesit nga pjesëmarrja në punimet e komisioneve dhe të seancave plenare për një periudhë 15-ditore, shoqëruar kjo edhe me sanksionin financiar të ndalimit të pagës për këtë periudhë. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se “Kolegji vlerëson se kërkuesi nuk legjitimohet t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kontrollin e kushtetutshmërisë së vendimit të Kuvendit për marrjen e masës disiplinore”. Dhe se pikërisht në atë seancë janë përjashtuar edhe deputetët Paulin Sterkaj dhe Armando Prenga, veç Saimir Tahirit, “për arsye të përdorimit të fjalëve fyese, provokimit të rrëmujës në seancë”.
Sakaq është e freskët vula e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi pretendimet e  e Partisë Socialiste për sa i përket anti-kushtetutshmërisë së veprimtarisë të komisionit hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 Janarit të vitit 2011. Me shumicë votash mbledhja e gjyqtarëve kushtetues ka hedhur poshtë si të pambështetur në ligj kërkesën e një grupi deputetësh socialistë.
Këta të fundit jo pak herë kanë dëftyer hutim e injorancë juridike, edhe përgjatë betejës ligjore me përfaqësuesit e PD-së në zgjedhjet e fundit lokale, me përballjet e ndryshme në KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor për leximin e votës së qytetarëve.
Si do që të jetë drejtësia përkundër llafeve të Edi Ramës që “drejtësia ka vdekur” ka dëshmuar se ka potenciale të padiskutueshme ndërgjegjësimi ndaj atyre, që të parë duhet të jepnin shembull respektimi, dhe jo injorimi. Një konkluzion që del nga këto vendimi gjykate është fakti që PS-ja ka probleme akute me njohjen dhe respektimin e ligjeve dhe të Kushtetutës. Sigurisht që edhe PD-ja nuk është imune ndaj njohjes së Kushtetutës, pasi disa ligje - sipërmarrje të maxhorancës - janë kthyer në Parlament nga Gjykata Kushtetuese, çka dëften edhe njëherë imperativin e zbatimit të ligjeve dhe të Kushtetutës, dhe jo ndryshimin e tyre sa herë nuk i pëlqejnë dikujt.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›