E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progni, një “ish” që beson te pikët kundër vlonjatëve

Në Kukës po përgatiten për një tjetër ndeshje të rëndësishme. Kundërshtari i radhës është Flamurtari, një rival direkt që ekipi i Cungut do ta presë në “Zeqir Ymeri”. I gjithë Kukësi, por edhe tifozë nga qytetet e tjera veriore, përshi edhe Kosovën, pritet të jenë të shtunën në stadium. Nisur edhe nga objektivat e mbetura për këtë sezon, që është zona “Euro”, përballja me skuadrën vlonjate cilësohet si më jetikja, pasi vetëm një fitore do i jepte siguri për të ruajtur vendin e dytë. Te Kukësi janë dhe dy titullarë që kanë luajtur sezonin e kaluar me Flamurtarin, konkretisht Julian Brahja dhe Gerhard Progni. Ky i fundit, i cili vjen pas një goli spektakolar në Kavajë, për “Panorama Sport” shpreh bindjen për marrjen e pikëve të plota. “Kjo është ndeshja e sezonit për ne. I gjithë mundi dhe djersa jonë varen nga rezultati i kësaj ndeshjeje. Jam i bindur se ne kemi kapacitete më të mira dhe kemi udhëtuar më bindshëm në rrugën e vështirë drejt vendit të dytë sesa kundërshtarët tanë. Edhe vetë Flamurtari është i bindur që ne jemi më të mirët. Kuqezinjtë gjithashtu vijnë për një ndeshje shumë të rëndësishme, por as që na shkon mendja se ne mund të humbasim. Ka tre vjet, që nga Kategoria e Dytë në të Parën dhe tani në Superiore, që ekipi i Kukësit nuk ka humbur në ndeshjet për kampionate. Do ta ruajmë me çdo kusht këtë vijimësi të mbarë dhe këtë rekord origjinal që asnjë ekip në Shqipëri nuk e ka. Vlora do të ndalet në Kukës”, – thotë Progni. Mesfushori është në vendin e dytë si golashënues i Kukësit, pas Popoviçit, dhe nuk e fsheh dëshirën për të shënuar. “Për mua e rëndësishme është të marrim tri pikët dhe të presim biletën për në Europë. Nëse shënoj unë apo dikush tjetër, kjo s’ka rëndësi. E rëndësishme është fitorja. Kjo fitore nuk mund të kuptohet pa mbështetjen e tifiozërisë. Unë u bëj thirrje tifozëve tanë ngado që janë, që të shtunën të jenë në stadium për të parë ndeshjen historike dhe fitoren më të bukur të Kukësit”, – përfundon Progni. 

NUK KA MUNGESA
Për të qenë sa më të përqendruar te ndeshja dhe sa më pranë tifozëve, ekipi dje ka udhëtuar drejt Kukësit, ku do të jetë i grumbulluar deri ditën e ndeshjes. Formacioni i Cungut këtë herë është i plotë, teksa atij i është bashkangjitur edhe qendërmbrojtësi Lukas Malakarne, që u dëmtua para tri javësh. Ndërkohë stërvitja do të zhvillohet në stadiumin “Zeqir Ymeri”. 

MBLEDHJA ME EKIPIN
Përpara nisjes për në qytetin verilindor, presidenti Safet Gjici ka zhvilluar një takim të shkurtër me ekipin dhe stafin teknik. Numri një i klubit ka siguruar edhe njëherë mbështetjen maksimale dhe rëndësinë që ka kjo ndeshje për Kukësin. Ekipi do të jetë i akomoduar në një nga hotelet në periferi të qytetit, por nuk do të mungojnë edhe shëtitjet relaksuese në Kosovë. 

(ge.p/panoramasport/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›