Ikin anëtarët e PBDNJ-së në KZAZ, LSI-ja merr vendet si opozitare
Tiranë- Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka miratuar sot kërkesën e LSI-së për të caktuar anëtarin e saj në Komisionet Zonalë të Administrimit të Zgjedhjeve.
Lëvizja Socialiste për Integrim në relacioni e saj i kërkonte KQZ-së që të caktohet si parti e cila ka të drejtë të paraqesë propozime për anëtarë në KZAZ.
Ajo shprehet se nisur nga fakti se Partia Lëvizja Socialiste për Integrim tashmë renditet si parti e opozitës parlamentare si dhe në bazë të vendimit të KQZ-së për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve LSI renditet e dyta nga numri i mandateve në grupin e partive të opozitës parlamentare, duhet të caktohet si parti që ka të drejtë të propozojë anëtar në KZAZ.
Në bazë të renditjes sipas numrit të mandateve që kanë fituar partitë politike nga zgjedhjet pararendëse rezulton se partitë që vinë pas Partisë Socialiste dhe i përkasin grupit të partive të opozitës parlamentare, janë Partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.
Kërkesa e LSI-së u bazua mbi kërkesën e bërë para pak ditësh nga Partia Republikane, e cila pas largimi të LSI-së nga qeveria kërkoi që anëtar në KZAZ të jetë anëtari i saj.
Pas miratimit të kërkesës bëhet largimi i anëtarit të PBDNJ-së që ishte deri tani forca e dytë më e madhe opozitare dhe në vend të tij vendoset anëtari i LSI-së.
Ndërkohë sot ështe edhe afati i fundit për regjistrimin e koaliconeve. Gjatë ditë së djeshme partitë kryesore në vend kanë zhvilluar negociata me partitë e tjera dhe është arritur marrëveshja me disa prej tyre. Deri më tani Fryma e Re Demokratike dhe Aleanca Kuq e Zi kanë deklaruar se do të hyjnë të vetëm në zgjedhje.