Program pa vizion politik dhe model zhvillimi!
Nuk ka ndonjë program qeverisës perfekt, pa të meta. Ashtu siç dhe nuk ka program qeverisës i cili të realizohet 100 përqind, e aq më pak një program që të përmbushë interesat e të gjitha grupeve dhe të jetë i gjithëpranuar. Por së paku një program qeverisës, që të jetë i tillë, duhet të plotësojë disa kritere minimale. Ai duhet të jetë së paku i qartë në kokën e një njeriu dhe të materializojë një vizion të caktuar, që u jep përgjigje problematikave kruciale të vendit në momentin e dhënë. Dhe nuk mund të jetë ‘vizioni shkencor për zhvillimin e vendit’ (f. 48) që jep përgjigje, edhe pse shkencat mund të ndihmojnë, por vizioni politik. Mu ai që mungon. Vizioni politik i Kryeministrit, i qeverisë, për zhvillimin e vendit, mungon. Mungon sepse Partia Socialiste ashtu sikurse kemi thënë nuk ka një program qeverisës, nuk projekt, nuk ka ide për zhvillimin e vendit. Prandaj na paraqet në Parlament një pamflet elektoral, ku copëza të shkëputura, ide të shpërndara aty këtu, fraza burokratike nga strategji ekzistuese sektoriale, na paraqiten si një program qeverisës, e kësisoj kemi të bëjmë me asgjë më shumë se një dokument eklektik, të paqëndrueshëm, dhe në thelb të parealizueshëm.
Le të cekim pjesën e programit për çështjet e mbrojtjes. Konstatoj pozitivisht vijimësinë e reformave të ndërmarra; është krejtësisht normale që të ecet në të njëjtën trajektore sikundër do të duhet të ecë kushdo nesër në reformat e mbrojtjes, që janë kryer a janë në procedim, dhe që janë hartuar e formësuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë në linjat e samitit të Lisbonës. Janë reforma jopartiake dhe duhet të mbeten të tilla. Shpresoj që implementimi i Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, një sukses i MM dhe FA, një dokument pune për vitet në vazhdim, të kryhet me këtë frymë gjithashtu. Këtë kujdes kërkon Strategjia Ushtarake që është draft i gatshëm e që sigurisht duhet të reflektojë edhe pikëpamjet e qeverisë së re. Paketa ligjore që rregullon veprimtarinë e FA në masën më të madhe është hartuar, drafti i ligjit për karrierën ndodhet në qeveri. Por këtu vrulli rilindas do të detyrohet ta mbajë hapin sepse problemi i ‘nëpërkëmbjes së’ diagnostikuar prej tyre të ‘dinjitetit të ushtarakut’ (f.12) do të varet nga performanca e ekonomisë më së pari.
Plani afatgjatë i zhvillimit të FA është hartuar dhe do ta gjeni në ministri. Ristrukturimit i Forcave të Armatosura është bërë, por me Strategjinë e re të Mbrojtjes dhe objektivat që përcaktohen në të, padyshim që do të jetë e nevojshme të reflektohet edhe me ristrukturim. Kjo është vijimësia. Dhe jashtë konstatimeve partizane për politizim dhe korrupsion në FA, duket se na duhet të pranojmë se të tjerat i kemi bërë në këto tetë vite: nga antarësimi NATO te integrimi i FA, nga planizimi te rishikimi i strukturave, nga standardet tek rekrutimi e arsimimi, nga rritja e kapaciteteve dhe misioneve te zhbërja epokale e gati njëqindmijë ton municioneve.
Sa i përket hartimit të një të ashtuquajture "platformë solide për bashkëpunimin me NATO" do të duhet ta kurseni mundimin sepse bashkëpunimi me NATO-n është i mirërregulluar dhe bazohet në dy shtylla themelore: procesi i integrimit të FA, i cili është proces që përfundon brenda vitit 2013, një vit para parashikimeve të aleatëve tanë; si dhe Force Goals ose Objektivat e Forcës, implementimi i të cilëve ka ecur me ritme të shkëlqyera. Po kështu, është e miratuar dhe në zbatim edhe një platformë e marrëdhënieve politiko-ushtarake me vendet anëtare e partnere.
***
Zgjedhjet. Meqë e shtruat vetë këtë problem. Çfarë na treguan këto zgjedhje? Na treguan që opozita juaj ishte joefektive, përndryshe zgjedhjet do të kishin dhënë një fitore të qartë të PS-së. Nuk mund të kishte rilindje dhe faktikisht nuk ka rilindje, zotërinj, ajo nuk është votuar. Nuk mund të ketë rilindje qëkurse platforma e Rilindjes ka qenë projektuar gjithashtu kundër LSI-së, asaj pjesë të ish-qeverisjes e cila është sulmuar po aq ashpër sa PD-ja. Mandati i PS-së nuk është një mandat fitimtar. Kjo është e çara e madhe që shpjegon edhe zhvillimet e tashme. Qeveria e re po krijohet mbi bazën e rritjes së këtij faktori qeverisës, jashtëopozitar, të katër viteve të fundit. Kjo duhet ta bënte Partinë Socialiste dhe kryeministrin e saj shumë më të moderuar në veprime, ta lexonte me urtësi dhe vetëpërmbajtje rezultatin e 23 Qershorit. Po ndodh e kundërta, kompleksi i mosfitores së zgjedhjeve i krijon pasiguri dhe kjo po reflektohet, madje me ç’duket do të reflektohet edhe më shumë në të ardhmen.
Në anë tjetër, përpjekja për të konstruktuar një realitet politik të ngjashëm me atë të vitit 1992, krahasimi i 23 Qershorit me 31 Marsin apo 22 Marsin, është përpjekje për të legjitimuar një program elektoral të pavotuar nga shqiptarët, në fakt është fshehje e kompleksit të thellë të mosfitores së zgjedhjeve. Por edhe i do komplekseve më të kahershme e më të thella si dhe të deficiencave demokratike kundrejt historisë së vendit në këta 70 vjet të kësaj partie. Nevoja për identifikim është legjitime, por duhet të jetë gjenuine.
Zonja dhe zotërinj, po çfarë është ky program?
Ky dokument në një anë monton një Shqipëri të shkretuar, pjellë të fantazisë dhe vetëmashtrimit, pikën zero nga ku duhet të fillojnë shpëtimtarët, shërbyesit e rinj; ndërsa në anën tjetër ndërton premtimin e Rilindjes, e cila nuk përmban asnjë projekt, asnjë tregues të matshëm, nuk tregon asnjë rrugë a mënyrë për realizimin e saj. Neve, si për çdo pyetje që u bëhet utopistëve, marksistëve, komunistëve, na lejohet të dimë vetëm kaq: kjo është rilindje.
Qeveria ende pa hyrë në zyrë do që të privojë qytetarët, median, opozitën, nga instrumenti i kontrollit mbi të: zbatimi i programit qeverisës, realizimi i premtimeve dhe angazhimeve ndaj qytetarëve.
Nuk po them se Kryeministri, qeveria, mazhoranca duhet të kenë modelin tonë. Absolutisht jo! Por ju duhet të na jepni një model. Është e vërtetë se duhet një ligj për heraldikën shtetërore, bëjeni, por a është ky thelbi i problemeve të vendit? Përpiquni të dëgjoni thelbin. Ka thënë një filozof i lashtë: mos më dëgjoni mua, por dëgjoni logosin. Prandaj zoti kryeministër na thuaj cili është modeli, cilat janë reformat, çfarë, si, kur realizohen; dhe mbi të gjitha, mbi bazën e këtyre premisave cili do të jetë produkti i tyre i fundëm? Në fakt ne sot do të duhet të diskutonim për tullumbacen e radhës, shëndetësinë falas, e cila në fakt na doli se nuk është falas, por që nuk do të përdoren paratë e skemës së sigurimeve, skemë e provuar botërisht, por paratë e mbledhura në një thes do kalojnë në një tjetër. Pyetja që lind është sa është kosto e kësaj të quajture reformë, sa do të rriten taksat për të mbuluar shpenzimet buxhetore për shëndetësinë, mbi kë do të rëndojnë këto taksa, a do ta fusë në kolaps të gjithë buxhetin e shtetit? Fletorja që na keni sjellë nuk jep asnjë përgjigje. Dhe e fundit por jo më e pakta: si e përmirëson kjo sistemin shëndetësor në vend?! Do të duhet të diskutonim për taksën progresive për të cilën nuk thuhet as se çfarë është, si do të realizohet, kur do të realizohet, kë lehtëson nga taksimi dhe kë ngarkon me një barrë të re fiskale! Dhe mbi të gjitha cili do të jetë efekti i saj në zhvillimin e vendit? Nëse e keni fjalën për një rishpërndarje socialiste të asaj që e quani rrënim, po rishpërndani varfërinë zotërinj, dhe në fund të gjithë do të jenë edhe më të varfër; e kanë parë shqiptarët këtë reformë. Diçka e tillë do të ishte kredhje e paprapësueshme në krizë.
Pamfleti juaj politik mëton të vendos solidaritetin dhe barazitizmin në themel të aksionit tuaj qeverisës. Thënë troç, siç edhe e keni thënë, doni tua merrni paratë të pasurve për tua dhënë të varfërve. Dakord. Kjo është doktrina juaj politike. Pyetja është, a është ky modeli i rritjes ekonomike, modeli i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të vendit? A stimulon ai rritje ekonomike, a nuk shkatërron incentivat që mund të sjellin rritje të ekonomisë? Propozimi juaj është një model i provuar si i dështuar, ai prodhon barazi në varfëri.
Të nderuar kolegë,
Në një moment kur të gjithë vendet përreth nesh, e gjithë Europa perëndimore ka rënë në një krizë të thellë ekonomike, kur dalja nga kjo krizë nuk duket e shpejtë, i gjithë fokusi juaj do të duhet të ishte qëndrimi tek një model ekonomik i cili ka garantuar, zhvillim, rritje dhe stabilitet. Tek ai model i cili e bëri Shqipërinë vendin e vetëm në Europë që nuk ra në reçesion, tek ai model që përfaqësuesja e Bankës Botërore e tha në konferencën tuaj, që duhet ta ruani fort për të shmangur krizën ekonomike ku mund ta zhysni vendin.
Tek ai model i lirisë ekonomike, taksave të ulta, shtetit të vogël, heqjes së barrierave burokratike, stimulimit të investimeve. Model i cili solli në ekonominë shqiptare çdo vit mbi 1 miliard dollarë në formën e investimeve të huaja direkte, mëtoi rritjen ekonomike dyshifrore në një kohë stabiliteti ekonomik global dhe ruajti nga reçesioni në kohën e krizës së madhe.
Atë model të suksesshëm ekonomik që dyfishoi të ardhurat në buxhetin e shtetit, që garantoi hapjen e mijëra bizneseve të reja e bashkë me to mijëra vendeve të reja të punës, dyfishimin dhe mbidyfishimin e rrogave për arsimtarë, punonjës shëndetësorë, punonjës të administratës, pensioneve etj, pothuajse përfundimin e të gjithë rrjetit kombëtar të infrastrukturës. Model i cili riktheu vëmendjen e qeverisë tek fshati, i dha tokës vlerën e munguar dhe riktheu fshatarin shqiptar tek puna me tokën.
Ne jemi krenarë sepse Shqipëria që po ju lëmë, është shumë herë me e mirë se ajo që morën tetë vite më parë, dhe shqetësimi ynë për mungesën e programit tuaj, për frymën eksperimentale dhe improvizuese që po sillni në qeverisje, është i sinqertë, sepse interesi i të gjithëve, edhe interesi ynë, është që në fund të mandatit tuaj të marrim një Shqipëri më të mirë se ajo që po lëmë sot!
Po premtimet ku janë?
Do të duhet të diskutonim mbi legalizimet falas, premtim i cili ka humbur në ndonjë radhë të fshehur të premtimeve utopike. Kur do të realizohet, si do të realizohet, kujt do ti lihet të vendos se kush legalizohet dhe kush jo, me çfarë fature për buxhetin e shtetit? Do të duhet të diskutonim për premtimet e pamatura për rritjen e pagave për policët, gjyqtarët, punonjësit e shëndetësisë. Por nuk mund të diskutojmë sepse nuk ka asnjë rresht për to, nuk ka asnjë skemë për rritjen e pagave. Por është e pamundur, thjesht janë zhdukur. Të gjithë e dinim dhe e dimë se ishin të pamundura, por e keni borxh t’ua thoni këtë të vërtetë qytetarëve të vendit.
Në tërësi, kjo paraqitje e parë formale e qeverisë, mungesa e një programi solid dhe verbalizimi i urrejtjes ndaj opozitës, nuk japin shpresë për mirë!