Basha: Rama, strategji tensioni me opozitën - apel të tërhiqen kërcënimet, ndryshe Edvini i di pasojat

Reagon kryetari i Partisë Demokratike, pas kërcënimeve flagrante në Kuvend kundër opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dënoi kërcënimet e djeshme të Edi Ramës në parlament, kundër opozitës. Ai bëri thirrje që të hiqet dorë nga provokimet e strategjia e tensionit, pasi në të kundërt kryeministri dhe faktorët politikë që ndjekin këtë lojë, do përballen me pasoja të rënda, të cilat ata i marrin me mend
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se, kërcënimet e Edi Ramës në Kuvend kundër opozitës, janë vazhdimësi e psikologjisë së tij të dhunës në familje, në bashki dhe kundër institucioneve dhe punonjësve të shtetit. Kreu i PD theksoi se me po të njëjtën filozofi dhune, kërcënimin, Rama grabiti votat e qytetarëve në qarkun e Lezhës. “Nuk kisha ndërmend të dilja në këtë konferencë shtypi pas votëbesimit të qeverisë; mendimet e mia për debatin parlamentar i bëra publike pak para përfundimit të seancës.
Por zoti Rama, ashtu siç e nisi me provokime të ulëta, u kujdes edhe ta mbyllte me një kërcënim pa precedent në adresë të opozitës debutimin e tij në foltoren e Kuvendit, duke hequr maskën e dëgjuesit të duruar dhe duke dalë para opozitës, publikut dhe të vetëve ai që njohim, ai që është, ai që nuk ndryshoi dot as duke kaluar pragun e tempullit të Kuvendit: I dhunshëm! Ushtrues i pashërueshëm i dhunës verbale, që është motra binjake e dhunës fizike. Deri sot, asnjë kryeministër në historinë e demokracisë sonë parlamentare nuk ishte dëgjuar t’i thoshte opozitës së tij: Pretenduat se ushtrova dhunë. Ju s’keni parë asgjë akoma... E gjithë kjo në përfundim të një debati që hyri në hullinë e normalitetit falë përkushtimit të opozitës për të përmbushur misionin e saj dhe gjithë deputetëve që thanë fjalën e tyre sovrane në foltoren e Kuvendit.
Zoti Rama nuk paska qenë duke dëgjuar me veshin e arsyes oponencën tonë në funksion të përmirësimit të programit të tij, siç shpresuam ne, por paska qenë duke u mbushur e duke i dhënë formë mllefit të tij teksa nuk arrin të durojë oponencën dhe kundërshtimin sy ndër sy, parlamentarizmin”- u shpreh Basha. Ai i bëri thirrje publikisht kreut të mazhorancës që të tërhiqet nga këcënimet ndaj opozitës, pasi në të kundërt do të përballet me pasoja të rënda. “Ju bëj thirrje të tërhiqni menjëherë kërcënimin ndaj opozitës zoti Rama. Ju ftoj të kërkoni ndjesë para publikut. Parlamenti është shtëpia e përbashkët e përfaqësuesve të popullit. Ju ftoj ta nderoni atë duke hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga gjuha e mllefit dhe kërcënimeve, me të cilën nuk kemi asnjë shans të shkojmë në Europë. Në të kundërt do të përballeni me pasoja që mund t’i merrni vetë me mend”- tha kreu i PD.
Lidershipi demokrat solli në vëmendje gjithashtu psikologjinë e dhunës që dominon Edi Ramën, nga dhuna në familje, në bashki dhe dhuna kundër institucioneve e punonjësve të shtetit. Sipas tij, me këtë formë dhune, Rama grabiti votat edhe në qarkun e Lezhës. “Kërcënimet e sotme në Kuvend kundër opozitës nuk mund të mos na kujtojnë se zoti Rama është recidivist me historitë e tij të njohura të dhunës në familje, të dhunës në bashki , të dhunës kundër institucionave dhe punonjësve të shtetit. Vjedhja e dhunshme e votave nga Partia Socialiste në qarkun e Lezhës në zgjedhjet e fundit është frymëzuar prej tij, është projeksioni i natyrës së tij. Kërcënimi i tij i sotëm i stilit më të vjetër kundër opozitës nuk është një shpërthim i rastit”. Kreu i PD deklaroi se lideri i mazhorancës zgjodhi të kërcënojë opozitën, për të mbuluar mashtrimet e tij elektorale – ndërsa e sheh strategjinë e tensionit me opozitën, si kënaqësi të zgjedhësve. “Zoti Rama ka mashtruar zgjedhësit. Mashtrimet e tij elektorale do të thellohen si mashtrime qeverisëse. I vetëdijshëm për ketë, i vetëdijshëm se nuk mund të ofrojë Rilindjen që ka premtuar, ai mendon se mund të kënaqë zgjedhësit dhe publikun shqiptar duke ofruar një strategji tensioni me opozitën, duke kërcënuar opozitën, duke bërë testin e dhunës verbale, si paralajmërim të dhunës tjetër. Që tu thotë votuesve: rroga, mirëqenie e çfarë u premtova tjetër s’kam ku të marr, por opozitës do t’ja bëj njërën. Gabon rëndë, zoti Rama. Gabon rëndë sepse populli, sido të votojë, vetëm këtë nuk e pranon, që të dhunohet opozita e tij, pasi e konsideron opozitën vlerë të pazëvendësueshme të demokracisë. Gabon rëndë sepse Partia Demokratike dhe opozita e qendrës së djathtë në Shqipëri është një kockë e fortë, e pathyeshme. Kjo opozitë është pagëzuar e tillë dy dekada më parë në betejën me regjimin me të egër komunist në Europë dhe qëndron duke u përtërirë në këtë katedër të lartë të guximit dhe vendosmërisë për t’i shërbyer demokracisë”- vijoi Basha.
Teksti ku Edi Rama shpreh qartë fjalorin e dhunës kundrejt Partisë Demokratike dhe opozitës
“Kur dëgjon opozitën, të duket sikur sapo eshte votuar nga populli per te vazhduar per te qeverisur ne rrugen e sukseseve te veta imagjinare. Dhe jo sikur sapo ka dale nga nje atille dru i popullit qe me thene te drejten ia ka fajin edhe per faktin se ju ende nuk dini ku e keni koken.
Ju ishit force e dyte ne 2009 dhe ishit triumfues mbi tjetrin. Ndersa sot qe ne jemi force e pare me nje % qe eshte me e larta ne zgjedhjet e Parlamentare ne Europe per nje force te pare qeverisese ju keni kurajon te thoni se nuk paskeni fituar. Por nuk keni faj 1 milione shuplaka jane shume, por sja vlen te zgjatem ketu, sepse te them te drejtën ne kemi shpëtuar qe te gjithe qe kur e kemi pushuar nga puna kontabilistin e % elektorale qe e keni marre ju dhe e gezofshi per vakite e radhës. Ne na e kishte lënë Partia e Punës, sepse ai është ato vajtojsat profesioniste qe shkojne neper vaki dhe qajne me ligje per te çliruar të afërmit nga dhimbja e të ikurit. Me mire vazhdoni germimet te gjeni koken sesa te geromoni ne kete ane te Parlamentit. Tani ishte nje kryefjale, kryefjala ishte qe ky nuk eshte nje program. Ska shifra ska afate, ska afate si behen
Ka shume faqe me ngjyra pse ka fotografi, skane dale mire ne fotografi, pa folur pastaj per paraqitjen time problematike qe u kthye ne motiv per te ikur nga salla me pretendimin se po ushtroj dhune.
Ju s’keni parë asgjë akoma...