Program pune për prishjen e ndërtimeve pa leje në Kukës
"Fenomeni i ndërtimeve pa leje në qytetin e Kukësit edhe pse konsiderohet i tejkaluar, ka disa raste sporadike, kur qytetarë, kryesisht banorë të kateve të para të pallateve të qytetit, që ngrenë mure rrethuese duke prishur edhe sipërfaqet e gjelbëruara",tha nënkryetari i Bashkisë Bilbil Keraj. Për këtë arsye, thotë ai, në bashkëpunim me Inspektoriatin e Policisë së Ndërtimit është përgatitur një program pune, me synim, lirimin e sipërfaqeve të zaptuara nga ndërtimet pa leje, proçes, që parashikohet të përfundojë brenda vitit. Në 15 vitet e fundit në Kukës, ndërtimet e kryera kanë qenë tërësisht jashtë kontrollit, aq sa tashmë është ngritur një lagje e tërë, që është në proces legalizimi. "Kanë qenë mbi 1200 ndërtime pa leje, pjesa më e madhe do të legalizohen, veçanërisht lagjja e re, krejt informale. Problem mbeten rrethimet e pallateve që nuk do të legalizohen, por do të prishen si dhe disa ndërtime që janë vendosur në objekte arsimore", thotë përgjegjësi i zyrës rajonale të Inspektoriatit të ndërtimit, Albert Omuri. Aktualisht shqetësim përbëjnë dhe disa ndërtime që po vijojnë pa asnjë dokumentacion nga persona, të cilët pretendojnë se janë pronarë të tokës. "Nga zyra rajonale e ALUIZM-it është përgatitur i gjithë dokumentacioni i legalizimit të lagjes së re të qytetit, e ngritur në pemëtoren e ish NB-Kukësit", thotë përgjegjësi i kësaj zyre Zenel Kastrati. Ndërkohë, për t'u ardhur në ndihmë qytetarëve, nga specialistët e zyrës së urbanistikës po punohet për hartimin e një plani rregullues afatgjatë, me synimin që ndërtimet e reja t'i paraprijnë zhvillimit ekonomiko-social të zonës.
...