E Diel, 1 Nëntor 2026

Programi “Pas Shkolle”, thirrja e hapur deri në 10 shtator për trajnuesit

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Ministria e Arsimit ka përsëritur sot thirrjen për trajnuesit që të aplikojnë deri më 10 shtator, për t’u bërë pjesë e ekipit të profesionistëve që do të ofrojnë aktivitetet e programit “Pas shkolle”.

Ky program do të zhvillohet në 408 shkolla në të gjithë vendin, duke u krijuar nxënësve mundësi për të mësuar, argëtuar dhe zhvilluar talentet e tyre në një mjedis socializimi dhe edukimi.

Programi përfshin disa fusha, ndër të cilat “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, muzikë, teatër, kërcim, zeje dhe arte pamore.

Përmes këtyre aktiviteteve synohet që nxënësit të kenë akses në orë cilësore pas mësimit, të zhvillojnë potencialin dhe aftësitë e tyre, si dhe të krijojnë më shumë mundësi për socializim.

Një tjetër synim i programit është ofrimi i një alternative cilësore për kohën e lirë të fëmijëve, duke i nxitur ata të angazhohen në aktivitete krijuese dhe edukative dhe të qëndrojnë më larg përdorimit të ekraneve.

Programi “Pas Shkolle” synon kështu të shndërrojë hapësirat shkollore, pas përfundimit të procesit mësimor, në ambiente ku fëmijët mund të vijojnë të mësojnë, të krijojnë dhe të zhvillojnë talentet e tyre nën udhëheqjen e profesionistëve të kualifikuar.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›