E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhelaj: Rreth 16 mijë maturantë të regjistruar në raundin e parë të regjistrimeve në universitete

TIRANË, 9 shtator /ATSH/ Ka përfunduar raundi i parë i regjistrimeve në universitete përmes portalit U-Albania, ndërsa rreth 16 mijë maturantë kanë përfunduar procesin e regjistrimit në programet e studimit ku janë shpallur fitues.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, deklaroi në një intervistë televizive se procesi i regjistrimeve, i zhvilluar në shtatë faza, ka qenë i suksesshëm dhe se sistemi vijon të monitorohet edhe pas përfundimit të raundit të parë.

Sipas tij, numri i maturantëve të regjistruar është i përafërt me atë të një viti më parë, ndërsa këtë vit është vërejtur një trend më i lartë aplikimesh, çka pritet të reflektohet edhe në përfundim të procesit të regjistrimeve.

Xhelaj tha se deri tani janë regjistruar rreth 16 mijë maturantë dhe se numri i aplikantëve që zgjedhin të çregjistrohen për të vijuar garën në raundin e dytë është relativisht i vogël.

“Portali e ka fituar maturinë e tij në këtë dekadë”, u shpreh Xhelaj, duke e cilësuar U-Albania një platformë transparente që u mundëson maturantëve të kryejnë procesin e aplikimit dhe regjistrimit nga çdo vend ku ndodhen, pa kufizime kohore dhe përmes një procedure të thjeshtë.

Raundi i dytë i regjistrimeve do të zhvillohet më 15, 16 dhe 17 shtator. Maturantët që nuk janë regjistruar gjatë raundit të parë do të kalojnë automatikisht në fazën e dytë të regjistrimeve.

Rrjeti Akademik Shqiptar vijon monitorimin e procesit përmes platformës U-Albania, me synim garantimin e një procesi transparent dhe të aksesueshëm për të gjithë maturantët.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›