Programi bërthamor, Irani: Nuk heqim dorë

Irani nuk do të heqë dorë nga të drejtat bërthamore, sado të mëdha qofshin presionet ka deklaruar presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad.
Sipas tij, Perëndimi duhet të dijë se Irani nuk do të tërhiqet nga të drejtat e tij “të pamohueshme” për energji atomike.
Komentet e tij vijnë pak para takimit të 14 prillit në Stamboll, ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore, Britanisë, Kinës, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që synon zgjidhjen e aktivitetit të kontestueshëm bërthamor të Republikës Islamike.
Takimi paraqet negociatat e para mes palëve në më shumë se 14 muaj.
Perëndimi druan se Irani ka për qëllim krijimin e armëve bërthamore, por akuzat e tilla hidhen poshtë nga Teherani zyrtar.