E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi bërthamor, komentohen marrëdhëniet me Iranin

Gazetat britanike komentojnë atë që ato e konsiderojnë si ndryshim të politikës amerikane ndaj Iranit.

THE GUARDIAN hapet me një shkrim që mban titullin "Shtetet e Bashkuara planifikojnë të dërgojnë diplomatë në Iran për herë të parë që prej vitit 1979".

Gazeta shkruan se amerikanët kanë në plan të vendosin një mision diplomatik në Teheran për herë të parë që prej afro 30 vjetësh kur, në kuadrin e revolucionit islamik që çoi në rrëzimin e Shahut, qindra studentë hynë me forcë në ndërtesën e ambasadës amerikane dhe i mbajtën peng diplomatët.

Ajo e quan këtë një ndryshim të dukshëm të politikës së presidentit Bush ndaj Iranit.

Korrespondenti i kësaj gazete në Uashington thotë se njoftimi për vendosjen e një misioni të interesave amerikane, që konsiderohet si hap drejt rihapjes së një ambasade në të ardhmen, do të bëhet muajin e ardhshëm.

Gazeta shkruan se shpesh iranianët janë ankuar se kur është fjala për çështjen e programit bërthamor, ata nuk kanë zhvilluar bisedime direkte me amerikanët.

"Në këtë kuadër zyrtari i lartë amerikan, Ëilliam Burns, do të takohet të shtunën në Zvicër me negociatorët iranianë për çështjet bërthamore", shkruan kjo gazetë.

"Bushi dërgon një zyrtar të lartë për të shmangur konfliktin me Iranin" - është ky titulli i shkrimit kryesor në faqet ndërkombëtare të gazetës THE INDEPENDENT.

Gazeta shkruan se presidenti Bush sinjalizoi një ndryshin historik në politikën amerikane në Gjirin Persik.

Sipas kësaj gazete deri tani Shtetet e Bashkuara kishin këmbëngulur që Irani të hiqte dorë nga programi i pasurimit të uraniumit përpara se Uashingtoni të hidhte hapa për vendosjen e kontrakteve diplomatike.

Duke iu referuar takimit që Ëilliam Burns do të zhvillojë në Zvicër me negociatorët iranianë, gazeta shkruan se zyrtarët amerikanë po insistojnë se zoti Burns nuk ka mandat që të negociojë drejtpërdrejtë vetëm me iranianët apo të zhvillojë takime dypalëshe.

THE FINANCIAL TIMES shkruan se misioni i zotit Burns e shton trysninë mbi Teheranin, nga i cili tani do të kërkohet që të hedhë hapa konkretë.

Kjo gazetë e sheh atë që ajo e quan ndryshim të politikës amerikane ndaj Iranit, në vazhdën e hapave të tjerë që ka hedhur presidenti Bush kohët e fundit, siç është edhe përmirësimi i marrëdhënieve me Korenë e Veriut.

Edhe gazeta THE DAILY TELEGRAPH e quan vendimin e Uashingtonit për të dërguar zotin Burns në Zvicër për bisedime me iranianët, si zbutje të qëndrimit ndaj Teheranit.

Gazeta shkruan se deri tani Uashingtoni kishte këmbëngulur se Irani duhet të respektonte katër rezoluta të Kombeve të Bashkuara si dhe të ndërpriste procesin e pasurimit të uraniumit në kuadrin e një programi bërthamor përpara se të dyja palët të uleshin në bisedime.

"Tashmë ky kusht është hequr" shkruan kjo gazetë.

Ajo shkruan se zoti Burns do të bëjë pjesë në delegacionin e kryesuar nga shefi i Bashkimit Evropian për çështjet e sigurisë, Havier Solana, ku bëjnë pjesë diplomatë nga Britania, Franca, Gjermania, Rusia dhe Kina.

Gazeta shkruan se edhe presidenti iranian Ahmadinexhad, një ndër politikanët më konservatorë, i ka mbështetur publikisht bisedimet me amerikanët.

Sipas gazetës, iranianët mund ta pranojnë propozimin e fundit të zotit Solana, që mbështetet edhe nga amerikanët, se nëse Teherani nuk e shton nivelin e tanishëm të pasurimit të uraniumit, Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk do të vendosë sanksione të tjera.

Marrë nga BBC

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›