E Diel, 1 Nëntor 2026

Një xhiro për regjistrimin e një biznesi të vogël

Isha sot për të paguar detyrimet për një biznes të vogël në dyert e tatimeve meqenëse afati përfundimtar për të paguar është 20 korriku. Do doja ta tregoja historinë time nga fillimi në fund pasi mendoj se mund t’ju vij në ndihmë gjithë bizneseve të reja që kërkojnë të regjistrohen dhe që ashtu si unë mund të zhgënjehen nga “One Stop Shopi”...

Në fakt peripecia ime nuk nis sot por një muaj më parë. Biznesi ishte i ri dhe sipas inspektorëve tatimore që vinin një herë në jave te dera e dyqanit duhej regjistruar. Një grup vinte thoshte do regjistrohesh në tatime, tjetri në sigurime, secili për hesap të vet, asnjëri nuk dinte të të shpjegonte tamam procedurën.

Meqë kisha dëgjuar në televizion se qeveria paska hapë një qendër ku bëhet regjistrimi i bizneseve u nisa për atje. Me të pyetur njerëzit arrita të gjeja QKR-në, dhe ishte pikërisht te bashkia. Mendova se me tu regjistruar atje çdo gjë do merrte fund, unë do merrja deklaratën dhe do paguaja. Kisha dëgjuar shumë televizor në fakt.... dhe prandaj u zhgënjeva. Te QKR e famshme e reklamuar aq shumë nga Kryeministri dhe zyrtarët ishte thjesht një regjistrim formal që nuk e di çfarë vlere kishte.

Sapo dola te dera e QKR-së jashtë priste një zonjushë e bukur e cila me shumë mirësjellje të kërkonte ti përgjigjeshe një pyetësori të përgatitur nga USAID. Në fakt pyetet ishin a u regjistrove shpejt, brenda një dite? Sa kohë prite? A është hera e parë që vjen këtu? E të tilla si këto. Në fakt aty çdo gjë ishte shumë shpejt, sapo shkoje regjistroheshe nuk kishte asnjë problem... dhe unë u përgjigja pozitivisht gjithë pyetësorit, por sot e kuptoj se paskam bërë gabim pasi  këtu fillon edhe peripecia ime.

Me këtë fletën që mora te QKR duhet të shkoja në ca zyra të tjera aty afër bashkisë. Pyes njërën nga zonjat atje se çfarë duhet të bëj tani sepse me drejtuan këtu te ju? Ajo thotë ‘plotëso këtë formularin’. E marr ta plotësoj dhe më dolën disa paqartësi që zonjat mezi denjonin të kthenin një përgjigje. Arrita ta plotësoj dhe e dorëzoj atë formular dhe më thonë që të shkoj sërisht për të marrë deklaratën 3 ditë më pas. Shkoj tre ditë më pas dhe e marr atë dokument me të dhëna të detajuara për pagesën e detyrimeve bashkiake. Pyes zonjushën që ma dha se ku duhet të shkoj unë me këtë dokument tani? Përgjigja ishte: “Ku të duash detyra ime kaq ishte, të ta jepja”. !!! Shyqyr që aty jashtë kishte hallexhinj si puna ime, me pak më shumë eksperiencë dhe më drejtojnë në një zyrë tjetër.

Shkoj atje për të bërë pagesën dhe i pyes çfarë duhet të bëj tani? !! A jam në rregull me pagesat. “Po më thonë në rregull, me bashkinë mbarove punë”.

Por prapë më gjenden në ndihmë njerëzit e shumë që prisnin jashtë. Njëri prej tyre më pyet. “I pagove sigurimet?” “Jo i them ç’janë këto ku duhet të shkoj?”. Më drejton për te Zogu i Zi te Sigurimet Shoqërore të Tiranës. Nisem atje dhe arrij pas një ore. E gjej dhe zyrën në katin e dytë ku kishte aq shumë njerëz sa ishte e pamundur të merrje vesh se çfarë po bëhej. Me japin sërish njerëzit që ishin aty të plotësoja një formular. Në sportel punonte vetëm një zonjë, megjithëse dyndja e njerëzve ishte shumë shumë e madhe. Më erdhi radha dhe mua dhe dorëzoj formularin që kisha plotësuar. I them çfarë të bëj tani? Ajo më kthehet “Nuk e shikon sa njerëz ka këtu, çfarë të bëj më parë, nuk te jap dot pergjigje?”. Po i thashë po unë si të veproj, kam dëgjuar në televizor që ka gjobë po kaloi data 20 korrik me 10 mijë lekë të reja”. “A unë nuk di gjë për gjobat” – më përgjigjet. “Unë di të jap vetëm numrin e sigurimit”.

Shanci im pata një mik atje dhe e marr shpejt e shpejt numrin e sigurimit duke anashkaluar procedurën normale, për të pritur deri të hënën.

Aty pyes sërish një zonjë. Më thuaj i thashë ku të paguaj tani? Ik në tatime më thotë se të sqarojnë atje. Nisem për te tatimet dhe duke pyetur gjithë kalimtarët i gjeta më në fund ishin midis disa pallateve te 21 Dhjetori.

Aty jashtë kishte njerëz që plotësonin borderotë. Meqë isha e re vendosa ti plotësoj aty borderotë kundrejt një pagese 200 lekë të reja. Futem brenda te tatimet dhe radha sërish ishte më keq se te Sigurimet. Mundohem të gjej aty sportelin te i cili më drejtoi njëri prej punonjësve të tatimeve. Pasi e gjej ajo më plotëson faturën me të cilën duhet të shkoja në bankë, ndërkohë që më shpjegon edhe procedurën e shkarkimit të deklaratës nga interneti në mënyrë që të shmangia tatimet herën tjetër. Nga nxitimi dhe njerëzit e shumtë zonja ma plotëson deklaratën me emër tjetër për tjetër. Kur ika në shtëpi e shikoj gabimin dhe për të mos shkuar më deri te tatimet futem në faqen zyrtare të tatimeve (www.tatime.gov.al) për ta shkarkuar sërish dhe ta plotësoja vet ashtu siç më udhëzoi punonjësja e tatimeve.

Gjej atje diku “Shkarko Deklaratat tatimore”. Del një kuti ku thuhej shkruaj NIPTI-n. E shkruaj dhe më hapet një formular për ta plotësuar  të cilin e plotësoj. Pres më pas të më shkarkohet deklarata por ishte e pamundur ta shkarkoja gjithë mbasditen e sotme. Pyes kolege të mia financiere me telefon dhe më thonë se faqja do jetë shumë e ngarkuar pasi kjo javë është e fundit për pagesat. “Këto ditë nuk mund të printosh asgjë pasi ka dyndje” – më thonë. Kështu detyrohem të shkoj sërish nesër te Tatimet ta plotësoj dhe njëherë atë deklaratë me të dhënat e sakta....U bë një muaj që po sorollatem për ta regjistruar këtë biznes!!!. Ku është “One Stop Shopi” – i trumbetuar nga kjo qeveri!!!.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›