Aktivizohen zjarret, 2 shtëpi të djegura
Fier- Aktivizohen vatra të reja zjarri në rrethin e Fierit. Nga djegia e arave me hamull, flakët të favorizuar nga era janë përhapur dhe kanë shkaktuar djegien e dy shtëpive, një në fshatin Kurjan të Roskovecit dhe një tjetër në fshatin Gorre të Lushnjes.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, mësohet se banesa e djegur në Kurjan është e shtetasit Fejzi Kurti. Shtëpia e tij ka qenë pranë një zone që i ishte vënë flaka për djegien e mbeturinave në arë dhe më pas është përfshirë nga flakët e dhe banesa. Mësohet se shtëpia është djegur krejtësisht me gjithë çfarë kishte brenda.
Të njëjtin fat ka pësuar edhe një banesë në një fshat të Lushnjes, por për fat nuk janë shënuar persona të lënduar.
Të dhënat zyrtare flasin për 4 vatra zjarri të aktivizuara në rrethin e Fierit. “Në Komunën Qendër të Mallakastrës janë djegur 100 rrënjë ullinj, të rinj e të vjetër, ndërkohë që po punohet për izolimin e vatrës”- thonë burimet.
Sipas tyre në Seman ka një tjetër vatër të aktivizuar, por jo të përmasave shqetësuese dhe premtohet se ajo do të vohet shpejt nën kontroll.