E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Punësim jetik për një anëtar në çdo familje

Lëvizja Socialiste për Integrim prezanton "programin jetik". Duke nxitur investimet publike në komunitet, ky program synon të punësojë minimalisht një person për çdo familje që nuk ka asnjë anëtar të punësuar. Gjatë një takimi në Kamzë, kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh se pas ardhjes së të majtës në pushtet do të bëhen legalizimet, ndërsa do të ketë një plan urbanistik për zona si Kamza dhe Bathorja. "Për çdo vend të ri pune që do të krijohet, ne do të stimulojmë në mënyrë konkrete biznesin, duke e lehtësuar nga taksat dhe tatimet. Për çdo vend të ri pune, ne do t‘i shprehim mirënjohjen tonë biznesit vendas apo të huaj, jo me fjalë, por me politika konkrete, tatimore dhe fiskale. Pra, për çdo biznes të ri që do punësojë më shumë sesa pesë veta ne do të heqim tatim-fitimin për disa vite", tha Meta. Në vijim, Meta u shpreh se është e domosdoshme që Kamza dhe Bathorja t‘i nënshtrohen urgjent një procesi dhe një masterplani urbanistik dhe integrimi, sepse është e nevojshme që këtij masterplani t‘i paraprihet me përfundimin e shpejtë dhe pa dallime politike të procesit të legalizimit. "Ky komunitet nuk duhet të jetë më peng i burokracive apo i korrupsionit në pushtet. Ndaj alternativa e LSI-së përkrahet këtu në komunitetin tuaj të mrekullueshëm, tha Meta, sepse ajo është larg lojërave politike dhe demagogjisë që ju ka zhgënjyer për vite e vite me radhë".

Sipas Metës, Shqipëria në NATO do të thotë një detyrë për të gjithë ne: të përgatisim vendin për të hyrë edhe ne BE. Më pas, ai shtoi se shqiptarët në BE do të hyjnë vetëm duke zbatuar ligjin njësoj për të gjithë dhe jo vetëm në favor të atyre që janë në pushtet sot. "Me demagogji dhe me hartime shqiptarët nuk mund të jetojnë më mirë. Është koha për veprim, ndaj votoni për LSI-në", përfundoi kreu i LSI-së, Ilir Meta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›