E Shtunë, 31 Tetor 2026

Programi i ri qeverisës, sekreti i 40 faqeve të Berishës



Prej javësh, Kryeministrit Sali Berisha i është dashur të mbledhë stafin qeveritar dhe ekipin e këshilltarëve në mënyrë të vazhdueshme për vendosjen e etiketave përfundimtare mbi draftin e projektit të ri qeverisës. Janë plot 40 faqe, përmes të cilave janë përmbledhur përparësitë kryesore të programit qeverisës 2009-2013. Ato do të lexohen sot në sallën e Kuvendit nga Kryeministri Berisha për të kaluar më pas në votim. Dy janë objektivat madhore të qeverisë “Berisha 2” përmes të cilave Kryeministri i vendit kërkon suksesin e mandatit të dytë: integrimi evropian dhe zhvillimi ekonomik i Shqipërisë. Burime pranë Kryeministrit bëjnë të ditur se ditët e fundit, Berisha ka bërë takime intensive me këshilltarët e tij, të cilëve u ka kërkuar në mënyrë koncize përparësitë për secilën fushë përkatëse. Po ashtu burimet bëjnë të ditur se z. Berisha ka shkrirë në programin e ri qeverisës edhe 14 pikat e marrëveshjes së nënshkruar para pak ditësh me LSI-në e Ilir Metës. Palët synojnë një program konkret që duhet zbatuar sa më parë për të mirën e Shqipërisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ndonëse programi që sot z. Berisha do të lexojë nga foltorja e Parlamentit është përmbledhur në 40 faqe, një staf i tërë specialistësh nga më të mirët e vendit, bashkë me Kryeministrin kanë punuar për javë të tëra për 90 kapitujt e programit qeverisës. Pjesa më e madhe e tyre janë premtimet elektorale të PD-së gjatë fushatës së parlamentareve të 28 qershorit. Por, të tjera objektiva janë shtuar në qeverinë e re që do të kryesojë sërish Kryeministri Sali Berisha. Janë afro 90 objektiva të qeverisë “Berisha 2” të cilat do të gjejnë zbatim përgjatë mandatit të ri katërvjeçar. Konsolidimi i sistemit demokratik, reformat institucionale, të drejtat themelore, zbatimi i plotë i ligjit, shteti ligjor, lufta kundër korrupsionit, rendi publik, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve, forcimi i kapaciteteve institucionale e njerëzore për zbatimin e ligjit, zhvillimi i shpejtë dhe i qëndrueshëm ekonomik, hapja e tregut, konkurrenca e lirë dhe e ndershme, zhvillimi i tregut bankar e financiar, rritja e kreditimit janë disa nga kapitujt e programit të ri qeverisë. Drafti që pritet të votohet sot në seancën e orës 18:00, vijon reduktimin e peshës së ekonomisë informale, politikat dhe administrimi fiskal, buxhetimi i bazuar në prioritete, transparenca dhe pjesëmarrja, administrimi i shpenzimeve publike, zhvillimi integral e harmonik rural dhe mbrojtja e mjedisit, natyra sociale e shtetit, punësimi i plotë, reduktimi i papunësisë, rritja e pagave dhe pensioneve, strehimi, reduktimi i varfërisë dhe kujdesi social. Integrimi evropian, zbatimi dhe koordinimi i reformave evropianizuese e integruese, politika e jashtme në funksion të integrimit evropian, të paqes dhe stabilitetit rajonal si dhe siguria kombëtare është pjesa thelbësore e programit që ka të bëjë me politikën e jashtme të qeverisë së koalicionit të djathtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›