Dështimi i vizitës në Bruksel, Ramën s’e pret asnjë zyrtar evropian
Edi Rama, kryetari në detyrë i PS-së, u kthye dje paradite nga Brukseli, ku nuk arriti të ketë asnjë takim të nivelit të lartë në zyrat e Komisionit Evropian. Por disa orë më vonë, duke komentuar raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet, ai i quajti përralla me mbret vizitat e tij në Bruksel. Duke mos mundur të sigurojë një takim zyrtar me komisionerin e KE-së për Zgjerimin, Olli Rehn, Rama nuk bëri asnjë njoftim publik për këtë vizitë dhe pse burime të sigurta në PS bënë të ditur se qëllimi i udhëtimit ishte pikërisht ky takim i pamundur. Ndërkaq i pyetur nga gazetarët se pse nuk u prit nga Rehn, Rama nuk dha përgjigje të qartë, por tentoi të bënte ironi. “Këto janë përralla që i shkruani dhe i lexoni sipas dëshirës”, - tha ai, por nuk sqaroi sepse u kthye nga kryeqyteti i BE-së pa marrë qoftë dhe një mbështetje vizuale nga ndonjë zyrtar i lartë atje për hapin radikal që ka ndërmarrë ai, duke lënë jashtë Parlamentit 65 deputetët e PS-së. Burimet në PS saktësuan se udhëtimi për në Bruksel i Ramës dhe mikut të tij, Erion Veliaj, mund të quhet me plot gojën një dështim, pasi nuk pati asnjë takim me zyrtarët e selisë së KE-së. Pas acarimit të marrëdhënieve me përfaqësitë diplomatikë në vend për shkak të vendimit për bojkot dhe mosnjohjes së zgjedhjeve, kreu socialist po kërkonte kontakte në selinë qendrore të BE-së qoftë dhe për të dhënë imazhin e marrëdhënieve të mira me të huajt. Por nuk ndodhi ashtu, ai nuk e përmendi dje fare këtë udhëtim, ndërsa foli për raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit. Rama e lexoi me syze të errëta këtë raport, duke e parë madje si mbështetës të lëvizjes së tij për bojkotin e Kuvendit dhe kërkesave për hapjen e kutive të votimit. Megjithëse në mënyrë të hapur dhe fare të qartë, në këtë raport thuhej se nuk ka prova për manipulim të zgjedhjeve, kreu i PS-së vazhdon të flasë për manipulim të tyre. “Ne konsiderojmë, bazuar pikërisht tek ky raport, se gjendja e demokracisë në Shqipëri është kritike dhe se zgjedhjet e 28 qershorit nuk i përmbushën ato standarde për të cilat ne socialistët u përpoqëm gjatë gjithë periudhës përgatitore që i parapriu zgjedhjeve dhe të cilat qytetarët e qytetaret e këtij vendi meritojnë. Madje, ne gjejmë në këtë raport një vlerësim konfirmues për analizat dhe qëndrimet tona lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit dhe për ne. Ky raport është një kambanë alarmi për gjendjen e zgjedhjeve në Shqipëri”, - tha Rama dje para mediave. Në vend që raporti i monitorimit t’i jepte një arsye për të riparë vendimin për bojkot të Kuvendit, përkundrazi Rama e ka përdorur këtë raport në favor të këtij qëndrimi. Ai tha se “ne sot ripërsërisim, bazuar edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, se qëndrimi ynë i kushtëzuar ndaj Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, është rruga ku kalon transparenca e domosdoshme për gjithçka ka mbetur e errët dhe për gjithçka fshihet nga ato kuti votimi dhe materiale zgjedhore që janë pjesë e konstatimit se në 1/3 e qendrave është numëruar keq dhe shumë keq”.