Presidenca e BE-së: Pas 28 qershorit, Shqipëria, në një pozitë më të mirë
Zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit ia kanë arritur qëllimit, për të afruar më shumë Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. Pas publikimit një ditë më parë të raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR-it për procesin zgjedhor në Shqipëri, Bashkimi Evropian vlerëson se vendi ndodhet në një pozitë më të mirë në rrugën drejt BE-së. “Shqipëria ndodhet në një pozitë më të mirë”, - deklaroi dje Carl Bildt, ministri i Jashtëm i Suedisë, në përfundim të këshillit të radhës të ministrave të Jashtëm të BE-së që u zhvillua në Bruksel. Deklarata e ministrit të Jashtëm të Suedisë, e cila mban Presidencën e radhës së Be-së, u bë para mediave. Në fjalën e tij z. Bildt shtoi njëkohësisht se edhe vlerësimet e vëzhguesve ndërkombëtarë duhen lexuar me kujdes deri në fund. Zgjedhjet e fundit duket se kanë afruar më shumë Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. Vlerësimi pozitiv i Bildt duket se do të hapë rrugë drejt proceseve me Shqipërinë të cilat dy janë më konkretet. Fillimisht, është liberalizimi i vizave dhe së dyti është shqyrtimi i kërkesës së Shqipërisë për t’u bërë vend kandidat për në BE.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe komisioneri i Zgjerimit, Olli Rehn. Duke folur para gazetarëve, ai tha se mbështet ministrin e Jashtëm të Suedisë, Bildt, por shtoi se do të jepte një mendim më të gjerë në lidhje me këtë çështje kur të shihte më gjerësisht raportin final për zgjedhjet të OSBE/ODIHR-it. Por Olli Rehn vuri në dukje se nga leximi i shpejtë që ai i kishte bërë raportit, mbështeste Carl Bildt kur vjen fjala se Shqipëria tashmë ndodhet në një pozitë më të mirë pas 28 qershorit. “Unë e mbështes Carl-in, pas leximit të shpejtë që i bëra raportit, por duhet ta lexoj dhe ta analizoj më mirë”, - mbështeti edhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Olli Rehn. Komisioneri Rehn tha se do të japë një vlerësim më të zgjeruar pak ditë më vonë. “Më është dashur të merrem me Afganistanin dhe nga kjo pasdite do të merrem dhe me dosjen e Shqipërisë”, - u shfajësua Rehn në konferencën për shtyp. Mbarëvajtja e zgjedhjeve në Shqipëri ishte kusht kyç për përparimin e vendit drejt BE-së. Ndërkohë, shqyrtimi i kërkesës për statusin kandidat, aplikim i cili u bë pesë muaj më parë, duket se është shtyrë për në muajin tetor, pas mbajtjes së zgjedhjeve në Gjermani, vend i cili, sipas burimeve diplomatike, ka penguar përfshirjen në axhendën e këtij këshilli të kësaj çështjeje. Një ditë më parë, ministrja suedeze e Çështjeve Evropiane, Cecilia Mallmstrom, deklaroi në Bruksel se aplikimi i Shqipërisë pritet të kalojë pa debat gjatë muajit të ardhshëm, njësoj siç ndodhi për Malin e Zi, në mënyrë që Komisioni të nisë nga përgatitja e opinionit se sa i gatshëm është vendi për të fituar statusin kandidat, proces i cili pritet të zgjasë së paku një vit e gjysmë.
Sllovenia: BE të ndihmojë Shqipërinë dhe Bosnjën
Ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zhbogar, u ka bërë thirrje vendeve të BE-së që të ndihmojnë Shqipërinë dhe Bosnjën që edhe ato të përfitojnë heqjen e regjimit të vizave. Sipas mediave sllovene, ministri Zhbogar ka thënë se vendimi i BE-së për heqjen e vizave vetëm për Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë ka shkaktuar efekte negative ne Bosnjë. BE-ja tashmë e ka miratuar vendimin për heqjen e vizave për Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe kjo, sipas ministrit Zhbogar, “ka nxitur reagim negativ në Bosnjë-Hercegovinë”. Ministri i Jashtëm slloven ka kërkuar që të ndihmohen Bosnjë-Hercegovina dhe Shqipëria, që deri në raportet e tetorit të arrijnë përparim më të madh, në mënyrë që pas Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, t’i arrijnë kushtet për liberalizim të vizave. Një kërkesë të tillë e kanë bërë edhe shumë personalitete në Bashkimin Evropian. Tashmë dihet nisma e ministrit të Jashtëm italian, Franco Frattini, i cili kërkuar përshpejtimin e lëvizjes së lirë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Me realizimin e reformave, por edhe pas vlerësimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, duket se Shqipëria është vendosur në axhendën e BE-së për liberalizim vizash.