Programi politik i PS-së, ja shtyllat ku do të bazohet
Përfundon faza e parë e hartimit të programit politik në Partinë Socialiste. Grupi i ngritur posaçërisht për këtë punë, i cili drejtohet nga kryesocialisti Rama dhe ka në përbërje të tij 20 anëtarë, ka dorëzuar propozimet e para për ndryshimet që duhet të bëhen në programin politik të Partisë Socialiste. Ky grupim është ndarë në nëngrupe për të bërë të munduar analizimin e çështjeve të ndryshme dhe adresimin e propozimeve sipas problematikave përkatëse. Burime nga ky grupim bëjnë të ditur për gazetën Shekulli se shtylla kryesore ku do të bazohet programi i ri i Partisë Socialiste do të jetë ekonomia. Në të do të përfshihen propozime konkrete për çështjen e taksave, uljen e numrit të papunësisë dhe mbështetjen ndaj biznesit. Për të mundësuar një program sa më efikas dhe më pranë realitetit, deputetët dhe ekspertët socialistë, të cilat janë ndarë në grupe prej 2 apo 3 personash, kanë analizuar fillimisht qeverisjen aktuale dhe më pas është përgatitur drafti që do ti propozohet strukturave për të qenë alternativa e Partisë Socialiste.
Drafti i ri që do ti paraqitet për miratim Kryesisë së selisë rozë do të synojë përcaktimin e drejtimit kryesor të ekonomisë së vendit. Pas eksperiencës së deritanishme të vendit tonë dhe në vendet e tjera të zhvilluar në botë, ekspertët socialistë kanë vlerësuar se si ekonomia shqiptare duhet të vazhdojë vitet e ardhshme. Mësohet se një prej pikave kryesore për përmirësimin e ekonomisë së vendit, sipas projektit të socialistëve, bazuar edhe në eksperiencën e fundit botërore, ka si pikë thelbësore stabilitetin e financave të vendit. Gjithashtu do të kërkohet që zhvillimi të nxitet edhe përmes kërkimeve shkencore, të minimizohet në maksimum papunësia dhe të ketë një vëmendje edhe më të madhe ndaj shfrytëzimit dhe përdorimit të pasurive natyrore. Krahas këtyre tre hallkave të parashikuara nga zyrtarët socialistë mbi përmirësimin e ekonomisë së vendit, do të kërkohet që përmes angazhimit në qeverisje të ketë rishpërndarje të funksionimit të shtetit për të garantuar investimet dhe ekonominë e vendit.
Një pikë e veçantë e alternativës socialiste për çështjet ekonomike ka të bëjë me rishpërndarjen e taksave në funksion të uljes së tatimit mbi produktet bazë ushqimore dhe të ilaçeve. Ideja e cila është publikuar nga kryetari i PS-së, Edi Rama, disa ditë më parë, është pasqyruar edhe nga hartuesit e programit. Ndryshe nga viti 2009, zyrtarët socialistë kanë menduar që në programin e tyre një rëndësi të veçantë të ketë edhe politika që do të ndiqet prej tyre për çështjen e taksave. Ekonomistët e Partisë Socialiste vlerësojnë si të duhur ndryshimin e taksës së sheshtë nga fikse në taksë të përshkallëzuar. Kjo pasi nga analiza e bërë vlerësohet se përmes mënyrës aktuale të taksimit është krijuar një hendek midis të pasurve dhe të varfërve. Mënyra më e mira për ta zgjidhur këtë, sipas tyre, do të jetë vendosja e taksës së përshkallëzuar, duke taksuar më shumë ata që marrin të ardhura të mëdha dhe ato që kanë rroga të vogla të taksohen më pak. Ndryshime pritet të ketë edhe në taksimin e pasurisë, të kapitalit, të konsumit etj,. Të gjitha propozimet e nëngrupeve do të punën për të nxjerrë një material të vetëm që do të diskutohet në forume, struktura dhe ekspertë të tjerë.
20
Persona janë në përbërje të grupit të hartimit të Programit Politik në Partinë Socialiste. Puna e këtij grupi udhëhiqet nga kryetari i Partisë Socialiste. Deri më tani puna e tij ka funksionuar në mingrupe prej 2-3 personash për tiu adresuar më hollësisht problemeve dhe propozimeve për çështje të rëndësishme.
5
Nëntori do të jetë dita kur Partia Socialiste do të ketë zyrtarisht programin e ri politik dhe statutin e ri. Në mbledhjen e Kongresit që do të mbahet dy muaj më vonë do të miratohen ndryshimet të cilat janë propozuar nga grupet e punës. Këto drafte do të diskutohen fillimisht në Kryesi dhe pastaj në Asamblenë Kombëtare.
Kryesia mblidhet javën tjetër, miraton dokumentet e hartuara
Kryesia e Partisë Socialiste do të mblidhet javën e ardhshme për diskutuar dhe miratuar dokumentet e hartuar nga grupet e punës. Propozimet e bëra nga ekspertët përkatës, të cilat do të jenë paraqitura në një material të përbashkët do të analizohet nga anëtarët e një prej strukturave më të rëndësishme të selisë rozë. Në projektin e miratuar në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare janë parashikuar dhe hapat që do të ndiqen për draftet që do të hartohen nga grupet e punës të programit politik dhe statutit. Prej disa muajsh në strukturat socialiste dhe grupet e interesit po zhvillohet një proces i gjerë konsultimi dhe debati që ka për qëllim ndryshimet Programin Politik dhe Statutin e PS. Në kuadër të këtyre ndryshime është parashikuar që diskutimi dhe miratimi i dokumenteve të hartuara nga grupet e punës të zhvillohet në Kryesinë e PSSH brenda muajit shtator 2011. Këto diskutime do ti paraprijnë mbledhjes së Asamblesë Kombëtare dhe për të përfunduar si proces me Kongresin Partisë Socialiste që do të mbahet më 5 nëntor në Pallatin e Kongreseve. Në këtë proces , krahas diskutimit brenda strukturave të partisë ka pasur konsultime edhe me figura të spikatura të historisë së Partisë Socialiste, drejtues të strukturave të saj në nivel qendror dhe vendor, përfaqësues të rinisë dhe gruas socialiste, bordet qytetare, përfaqësues të shoqërisë civile, të grupeve të interesit dhe personalitete të fushës së akademisë e shkencave shoqërore mbështetës të alternatives së majtë etj,. Për këtë proces është siguruar gjithashtu përvoja dhe ekspertiza e partive simotra europiane si dhe të Internacionales Socialiste dhe të Partisë së Socialistëve Europiane.
Grupi i programit politik
1. Anastas Angjeli
2. Arben Malaj
3. Arben Ahmetaj
4. Besnik Baraj
5. Ben Blushi
6. Ditmir Bushati
7. Eglantina Gjermeni
8. Ermelinda Meksi
9. Erjon Braçe
10. Ervin Bushati
11. Gëzim Tushe
12. Ilir Beqja
13. Kosta Barjaba
14. Namik Kopliku
15. Olta Xhaçka
16. Pandeli Majko
17. Servet Pëllumbi
18. Shkëlqim Cani
19. Valentina Leskaj
20. Vasilika Hysi
