Nënsekretari Burns: “Impresionuese reformat e Shqipërisë vitet e fundit”

Kryeministri Sali Berisha takon Nënsekretarin e Departamentit amerikan të shtetit, William Burns. Zyrtari i lartë amerikan përshëndet rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe inkurajon kryerjen e shpejtë të reformave me të cilat po përballet aktualisht vendi
Kryeministri Sali Berisha është pritur në një takim në Nju Jork nga nënsekretari amerikan i shtetit, William Burns. Në këtë takim, nënsekretari Burns shprehu mbështetjen e SHBA-së për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, si një proces që e çon Shqipërinë drejt progresit. Ai u shpreh se lista e reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fushën e ekonomisë, edukimit, infrastrukturës etj, është impresionuese dhe tregues i asaj që mund të arrihet. Nënsekretari Burns inkurajoi vazhdimin e reformave dhe ecjen përpara.
Nga ana e tij, kryeministri theksoi se zgjedhjet vendore të vitit 2011 ishin zgjedhjet më të mira të zhvilluara, të cilësuara edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë si kompetitive dhe transparente. Ai vlerësoi kthimin e opozitës në parlament si një hap në drejtim të normalizimit dhe kthimit në kornizën institucionale të jetës politike, pas një bojkoti më se dy vjeçar dhe një qëndrimi bllokues të vazhdueshëm. Gjithashtu, kryeministri Berisha e siguroi nënsekretarin Burns për gatishmërinë e qeverisë shqiptare, për të përmbushur të gjitha reformat për integrimin europian. Në mënyrë të veçantë, kryeministri Berisha nënvizoi rëndësinë e realizimit me sukses dhe konsensus e vullnet pozitiv të reformës zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe gatishmërinë e mazhorancës për ta nisur menjëherë atë, së bashku me opozitën.
Ndër të tjera, nënsekretari Burns i shprehu kryeministrit Berisha kënaqësinë për takimin, si dhe vlerësoi lart kontributin e vazhdueshëm të Shqipërisë në Afganistan dhe në të gjitha angazhimet e tjera në luftën kundër terrorizmit, si dhe rolin e Shqipërisë në rajon dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me Kosovën. Ai e siguroi kryeministrin se SHBA-të do të vazhdojnë të bëjnë maksimumin për njohje të mëtejshme të Republikës së Kosovës. Nënsekretari i Shtetit, Burns shprehu dëshirën për të vizituar sa më shpejt Shqipërinë.
Gjatë qëndrimit në Nju Jork, kryeministri Berisha ka pasur rastin të zhvillojë takime të rëndësishme me personalitete të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi një takim me presidentin Barack Obama të cilin e ftoi të vizitonte Shqipërinë, ftesë e cila u prit me kënaqësi nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Berisha zhvilloi takime dhe me personalitete të Bashkimit Evropian, ku prej të cilëve mori mbështetje për aspiratën e Shqipërisë në rrugën e integrimit Evropian. Berisha takoi presidentët e Polonisë Bronisław Komorowski, Hungarisë Pal Schmitt, Çekisë Vaclav Klaus, Gjeorgjisë Mikheil Saakashvili, kryeministrat e Britanisë së Madhe David Cameron, Suedisë Fredrik Reinfeldt, Zëvendëskryeministrin e Luksemburgut Jean Asselborn, me të cilët diskutoi mbi marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet në rajon.
Kryeministri ftoi të vizitojnë Shqipërinë, Kancelarin e Austrisë Werner Faymann, si dhe Ministrin e Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, të cilët i falënderoi për ndihmën e madhe që i kanë dhënë Shqipërisë. Kryeministri pati një takim me kreun e Këshillit të Tranzicionit të Libisë Mustafa Abdel Jalil, të cilin e përgëzoi për përmbysjen e regjimit diktatorial të Gedafit dhe inkurajoi në vendosjen e një sistemi demokratik në Libi.
“Ne kemi bërë atë që ju bëtë 20 vjet më parë”, u shpreh Kryetari i Këshillit të Tranzicionit të Libisë.