E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pro-amerikanizmi shqiptar solli lirinë në Shqipëri dhe Kosovë”

25-09-2011 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha përshëndet mbrëmjen gala të Këshillit Kombëtar Shqiptaro–Amerikan. Ish-Kryeministri britanik Tony Blair, nderohet me një çmim të posaçëm për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës

Një mbledhje gala e organizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptaro – Amerikan (NAAC), në New York, ka mbledhur krerët më të lartë të dy shteteve shqiptare, kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi, presidenten e Kosovës Ahtifete Jahjaga, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto dhe zv/kryeministri i Kosovës Behxhet Pacolli si dhe mbështetës të Shqipërisë dhe Kosovës si ish kryeministri Britanik Tony Blair, zv/asistent Sekretari i Shtetit Philip Reeker, kongresmeni Eliot Engel, ambasadori Frank Ëisner si dhe shumë personalitete të tjera shqiptare dhe amerikane.
Në mbrëmjen gala i ftuar nderi ishte ish Kryeministri britanik Tony Blair, të cilit NAAC i dorëzoi një çmim të posaçëm për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës. Çmime iu dhanë një numri personalitetesh të shquara që kanë kontribuar për kombin shqiptar si ish ambasadori Richard Holbrooke. Në fjalën e tij përshëndetëse, Tony Blair kujtoi përpjekjet edhe emocionet e forta të periudhës së luftës së Kosovës dhe përpjekjet për çlirimin e saj. Zoti Blair nënvizoi rëndësinë e lirisë për çdo komb dhe theksoi se bota nuk do të jetë më e mirë nëse lirinë nuk e gëzojnë të gjithë popujt. Ai shprehu kënaqësinë që Kosovën sot e njohin 84 shtete të botës dhe dëshirën që të gjithë shtetet ta njohin pavarësinë e saj.
Mbrëmjen gala e përshëndetën edhe një numër personalitetesh të ftuar. Gjatë mbrëmjes aktorja e Hollivudit Eliza Dushku prezantoi një pjesë të dokumentarit të realizuar gjatë vizitës në Shqipëri, i cili ka për qëllim promovimin e imazhit të Shqipërisë në botë.
Duke marrë fjalën, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për të gjithë miqtë e kombit shqiptar, për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të çmuar. Berisha vlerësoi veçanërisht kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga proceset demokratike në Shqipëri e deri të pavarësia e Kosovës, një mbështetje për të cilën kryeministri theksoi se solli lirinë në dy shtetet shqiptare, liri e cila qëndron në rrënjët e pro-amerikanizmit shqiptar.
Duke vlerësuar kontributin dhe mbështetjen e ish-Presidentit amerikan Bill Clinton, ish-Kryeministrit britanik Tony Blair, diplomatin Richard Holbrooke, kongresmenët Bob Doll, Eliot Engel, etj, Kryeministri theksoi se falë kësaj mbështetje Shqipëria po ndërton të ardhmen e saj Evropiane.
Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan në Nju Jork i dorëzoi një çmim të posaçëm ish kryeministrit britanik Tony Blair, për kontributin e tij në çlirimin e Kosovës. Pas mirënjohjes që shprehu për çmimin Blair tha se ndjehej i lumtur që Kosovën sot e njohin 84 shtete të botës, ndërsa shprehu dëshirën që të gjitha shtetet ta njohin pavarësinë e saj. Çmime gjatë mbrëmjes iu dhanë dhe një numri personalitetesh të shquara që kanë kontribuar për kombin shqiptar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›