Progres- raporti 2022/ Xhaçka takon Hohmann: Shqipëria përparim në rrugën drejt integrimit Evropian

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, pas takimit me ambasadoren e delegacionit Evropian në Shqipëri,Christiane Hohmann, e cila i dorëzoi Paketën e Zgjerimit për 2022 dhe Raportin e Progresit për Shqipërinë, u shpreh se ndjehet krenare që Raporti i vitit 2022 njeh faktin se pavarësisht sfidave dhe vështirësive, “Shqipëria ka përparuar në rrugën e saj drejt integrimit Evropian”.
Shefja e diplomacisë shqiptare e ka siguruar ambasadoren Hohmann, rreth angazhimit të Shqipërisë për të punuar ngushtësisht së bashku për të adresuar të gjitha shqetësimet.
“E ardhmja e Shqipërisë është në BE. Shqipëria është e përkushtuar për të dhënë rezultate konkrete në këtë fazë të re të procesit të integrimit pas Konferencës së parë Ndërqeveritare.”- shkruan Xhaçka në rrjetin e saj social.
Raporti i progresit i Komisionit Evropian, vlerësohet nga qeveria shqiptare si një dokument pune mbi fushat se ku do të përcaktohet angazhimi i përbashkët me BE në javët e muajt në vijim.
“Shqipëria ka vazhduar të përmbushë të gjitha kushtet e përcaktuara në Konkluzionet e Këshillit të Marsit 2020. Raporti vlerëson se Qeveria nuk e humbi fokusin në agjendën e BE-së, pavarësisht sfidave të ndryshme. Shqipëria ka arritur progres të dukshëm në miratimin e acquis të BE-së në vitet e fundit”,- tha Xhaçka.
Sipas saj, Komisioni i kushton shumë rëndësi paketës së zgjerimit 2022, si dhe sfidave gjeopolitike të krijuara nga agresioni rus në Ukrainë.
/rtsh.al/