E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Disa të ftuar nuk erdhën në darkën e organizuar në Strasburg, s’u ndjenë mirë pas fjalimit tim

Disa përfaqësues të KiE kanë refuzuar të marrin pjesë në darkën e organizuar nga Shqipëria në Strasburg, ndonëse e kishin konfirmuar më parë. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama në një postimi në rrjetin social Twitter, ku sqaron se shkak është bërë fjalimi që ka mbajtur në mbledhjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Sipas Ramës, nuk mund të ndihesh mirë kur dëgjon histori horrori sikurse është sipas tij sajesa e trafikut të organeve.

“Disa prej të ftuarve mbrëmë nuk erdhën në darkën e organizuar nga misioni ynë në Strasburg, megjithëse e kishin konfirmuar më parë! Nuk ndjehemi mirë pas fjalimit, ishte arsyeja. E mirëkuptueshme. S’ke si ndjehesh mirë kur dëgjon një histori horrori si sajesa e trafikut të organeve”, shkruan Rama.

Kryeministri shprehet më tej se fjalimi i tij për disa nga përfaqësuesit e KiE ishte si “rrufe në qiell të pastër”, teksa shtoi se do u duhet kohë për të analizuar faktet dhe për të kuptuar madhësinë e frishme të gabimit të bërë një dekadë më parë, duke iu referuar raportit të Dick Martyt.

“Bashkëbisedimi me ndonjërin syresh pas darkës ishte kuptimplotë. U ka rënë si rrufe në qiell të pastër! Do t’u duhet ca kohë për të analizuar faktet, kuptuar madhësinë  e frikshme të gabimit të bërë një dekadë më parë dhe adresuar nevojën për korrigjimin e tij me një akt të ri.

Por është e neveritshme, që edhe për një padrejtësi kaq ekstreme dhe për një të drejtë kombëtare kaq legjitime, e kaq përtej politikës së ditës, e djathta jonë e nongratave dhe e rublave, gjen kurajon të kundërvihet e të merret me dokrra!#NjerëzPaAtdhe #KatranMeBojë”, shkruan Rama.

Kreu i qeverisë ka mbajtur një fjalim me tone të fortë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës duke theksuar se raporti i Dick Martyt akuzon për krime të tmerrshme drejtuesit më të lartë të UÇK-së.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›