Turizmi/ Zhupa i kërkon “llogari” Kumbaros: Plazhet janë të pasigurta! Ministrja: Ky sezon, më i mirë se çdo vit

Deputetja e PD-së, Ina Zhupa i ka kërkuar “llogari” sot Ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro, në lidhje me situatën në plazhet e vendit, duke i cilësuar si të pasigurta. Nga foltorja e Kuvendit, Zhupa risolli në vëmendje disa nga ngjarjet tragjike që u regjistruan në plazhe përgjatë këtij sezoni, mes të cilave edhe tragjedinë në plazhin e Potamit ku humbi jetën 7-vjeçarja Jonada Avdia. Sipas Zhupës, Kumbaro ka përgjegjësi për ngjarjet e ndodhura dhe se do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen.
“Vendi ynë është i bekuar nga njerëzit punëtor, por i mallkuar nga qeveritarët. Mjafton që t’ju kujtoj ngjarjet e hidhura që ndodhën gjatë sezonit turistik. Mjafton të kërkoni në google se si mbytet i mituri, si mbytet vëllai, mbytet vëllai i dytë etj.. A ka përgjegjësi Ministrja për këto? Të gjithë e mbani mend vrasjen në Potam, a kishte përgjegjësi Kumbaro? Në një shtet tjetër nuk do të bëja interpelancë me Kumnbaron, pasi ajo do kishte dhënë dorëheqjen. E dini për çfarë është përgjegjëse ministrja, për dhënien e licencave dhe mbikëqyrjen e mjeteve ujore, për distancën nga plazhistët. A mendoni se ka një farë përgjegjësie edhe ministrja? Sigurisht që po. Ne shihnim ministren që inspektonte Durrësin natën për plehrat, ndërsa ditën Durrësi lëngonte nga plehrat”, tha Zhupa.
Ministrja Kumbaroi iu përgjigj duke përmendur fluksin e turistëve, ndërsa si shembull mori qytetin e Sarandës. Sipas Kumbaros, plazhet publike kanë qenë model nga pastërtia, sikurse edhe nga shërbimet vrojtuese. Kumbaro e vlerësoi sezonin turistik të këtij viti si më të mirin se çdo vit më parë.
“Sot vlerësohet rikthimi i turistëve nga Europa qendrore. Pas një pause 3 vjeçare kemi rikthim të turistëve nordik. Edhe Gjirokastra fitoi nga një fluks i ri turistësh. Këtë verë u rikonstruktuan të gjitha pikat e informacionit turistik. Vetëm në Sarandë, 80 inspektime në 2 muaj e pikut. Brenda në qytet kanë qenë plazhet publike model si nga pastërtia e shërbimeve vrojtuese. Kemi nisur punën për sezonin e ardhshëm. Punët e mira fillojnë në mëngjes thotë populli. Të flasësh për turizmin do të duheshin shumë më tepër seanca se këtë vit, turizmi jo vetëm ka qenë më i mirë se çdo vit”, tha Kumbaro.
/rtsh.al/