E Shtunë, 31 Tetor 2026

Progres për kutitë e materialeve. Dy javë negociata për fletët e votimit

Berishës dhe Ramës u është dhënë ultimatumi dyjavor. Ekspertët e BE-së, gati për detajet e draftit

Bashkimi Europian i ka dhënë dy deri në tri javë kohë Berishës dhe Ramës për të reflektuar për çështjen e shumëpërfolur të fletëve të votimit, pasi pjesa tjetër e kompromisit është ezauruar në darkën e “Crocodile” në Strasburg. Një grup ekspertësh të Komisionit dhe Parlamentit Europian pritet të mbërrijnë në Tiranë që javën e ardhshme, për të nisur punën e elaborimit të draftit, që pritet të vendoset në tryezë për firmën e Kryeministrit dhe liderit të opozitës. Asnjë datë nuk është bërë publike për takimin e dytë apo vendin se ku do të zhvillohet, por mësohet se gjatë darkës së Strasburgut ku kanë marrë pjesë krerët e dy grupeve të mëdha të Parlamentit Europian dhe komisioneri Stefan Fule, është dhënë një kohë limit sipas së cilës duhet të përfundojë kriza shqiptare, në mënyrë që të mbyllen procedurat për vizat dhe statusin e vendit kandidat. Ky afat ka qenë ultimativ, por në asnjë mënyrë dyjavëshi mund të cilësohet si “liridalje” për krerët e politikës shqiptare. Nga takimi që ka zgjatur deri dje në orët e mëngjesit, që është drejtuar nga treshja Daul, Schultz dhe Fule, është shpërndarë një “axhendë jo e shkruar” pune për mazhorancën dhe opozitën në vend për të mbyllur çështjen e shtruar në tryezë. Periudha dy deri në tri javë është vendosur në fund të darkës në restorantin e falshëm të Strasburgut, ngaqë paraprakisht ishte vendosur se do të kishte takime edhe dje. Por me linja të ndryshme si Kryeministri Berisha, ashtu edhe lideri i opozitës, Edi Rama, janë kthyer në Tiranë dje. Kreu i qeverisë do të nisë punën me ekspertët e mazhorancës për të përcaktuar të gjithë draftin ligjor për të penguar që BE të vendosë në draft hapjen e fletëve të votimit, ndërsa kryetari i socialistëve me të tijtë, do të formulojë argumentin ligjor që bën të mundur hapjen e kutive. Pas pesë orë diskutimesh të gjata, ku më aktivët kanë qenë komisioneri Fule dhe dy krerët e grupeve në Parlamentin Europian, është lënë që një ekspert i njohur ligjor i Bashkimit Europian të negociuojë për juristët e mazhorancës dhe opozitës për të përcaktuar kompetencat e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, përfshirë edhe çështjen nëse do të kërkohet interpretim nga Komisioni i Venecias dhe cili institucion do ta bëjë atë. Nga ana tjetër, palët nuk kanë pasur kundërshtime me pikat e tjera të kompromisit që kishin të bënin me drejtimin e komisionit nga opozita dhe hapjen e kutive të materialeve zgjedhore. Megjithëse mësohet se Berisha, edhe në këtë rast, ka bërë rezistencë, duke bërë të ditur se nuk do të lëshonte kollaj. Sipas burimeve diplomatike, kreu i qeverisë shqiptare ka bërë thirrje për një përshpejtim të proceseve integruese të vendit, si me liberalizimin e vizave, ashtu edhe me statusin e vendit kandidat, duke theksuar se qeveria shqiptare do të plotësonte të gjitha kriteret e kërkuara nga Brukseli. Por zgjidhja e krizës ka qenë “shpata e Demokleut”, që ka qëndruar në krerët e dy liderëve shqiptarë, por që padyshim barrën më të madhe e mban qeveria, pasi ajo dhe mbulon kostot. Një burim diplomatik i tha dje “Shqip” se dhe pse s’bëhet publike, në darkën e “Crocodile” është arritur diçka e rëndësishme, por që mund të shërbejë për të ardhmen. Bëhet fjalë për një marrëveshje jetëgjatë mes politikës shqiptare për të siguruar një stabilitet të vendit. Mësohet se gjatë darkës drejtuesit e së djathtës europiane Joseph Doul dhe Eduar Kukan, si dhe ata të së majtës Martin Schultz dhe Hans Swoboda, edhe pse janë shoqëruar nga aleatët e tyre shqiptarë, kanë pasur një qëndrim unik, të njëjtë edhe me komisionerin Stefan Fule.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›