E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stop makinave në zonën muzeale

Autori i Lajmit: red.
Drejtuesit e Bashkisë së Gjirokastrës kanë urdhëruar ndalimin e qarkullimit "për gjithnjë", në zonën muzeale të qytetit për të gjitha automjetet mbi dy tonë. Sipas drejtuesve të Bashkisë, kjo masë është marrë "për të rritur cilësinë e shërbimit dhe për të garantuar jetën e turistëve vendas dhe të huaj që vizitojnë qytetin". Masa është vendosur qysh prej fillimit të këtij muaji, por vetëm sot filluan të ndihen të plota efektet e saj. Sipas vendimit të Bashkisë, automjetet me tonazh më të vogël do të lejohen të qarkullojnë në zonën muzeale, por nuk do të kenë të drejtë të parkojnë. “Tashmë janë pjekur të gjitha kushtet që turistët vendas dhe të huaj të vizitojnë zonën muzeale pa pasur stresin e qarkullimit të automjeteve, sidomos të atyre që peshojnë mbi dy tonë”, - tha kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Ai shtoi se ky urdhër do të zbatohet nga policia bashkiake gjatë 24 orëve dhe në rast kundërvajtjeje automjeti do të gjobitet dhe do të bllokohet për tre muaj. Gjirokastra ose Kështjella e Argjendtë, siç u quajt gjatë pushtimit bizantin, shtrihet në rrëzë të Malit të Gjerë dhe rrethohet nga kodra të ulëta dhe lugina. Në vitin 2005 qyteti hyri ne Listën e Trashëgimive Kulturore Botërore. Stili karakteristik i ndërtimit të shtëpive me çatitë e gurta që dominojnë gjithë kodrën, i dha asaj emrin “Qyteti i Gurtë".
Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›