E Diel, 1 Nëntor 2026

Artet, të vetmet me bibliotekë efiçente

Autori i Lajmit: Fatiola Kurteshi
Kanë ngelur edhe pak javë nga fillimi i vitit të ri akademik dhe ndërkohë që studentët janë duke bërë përgatitjet e fundit, universitetet nuk kanë bërë asgjë për pritjen e tyre, për sa i përket pasurimit të bibliotekave të fakulteteve përkatëse. Ka shumë studentë që, për të plotësuar nevojat në një lëndë të caktuar, kanë nevojë për literaturë shtesë, e cila mund të plotësohet duke shfrytëzuar bibliotekën e universitetit. Ky problem duket se është i mbyllur në Akademinë e Arteve, pasi studentët e këtij fakulteti kanë mundësi të përfitojnë nga shërbimet që u ofron biblioteka e shkollës. Edhe pse ka shumë kohë nga krijimi i kësaj biblioteke, ajo pasurohet vazhdimisht.
Në ambientet e saj ofrohen mjedise bashkëkohore për studentët, të cilët në këtë sezon provimesh gjejnë literaturën e duhur. Një mbështetje të madhe për bibliotekën ka dhënë dhe rektori Petrit Malaj. Në bibliotekë ofrohen të gjitha kushtet për studentët, por dhe rektori Petrit Malaj për këtë qëllim organizon takime me përfaqësuesit e ambasadave të ndryshme për të pasuruar bibliotekën. Ndërkohë që është dixhitalizuar fondi i muzikës botërore. Por dhe vetë studentët janë të kënaqur me literaturën që gjendet në këtë bibliotekë të arteve. Sipas punonjësve të kësaj biblioteke, aty gjendet një fond i pasur ku mund të gjejnë materialet e duhura studentët e të gjitha degëve të këtij fakulteti. Përveç kësaj, studentët mund të përfitojnë edhe shërbime të tjera.

Biblioteka e Akademisë së Arteve

Biblioteka e Akademisë së Arteve është biblioteka më e madhe e artit në Shqipëri, e hapur në vitin 1966, vit në të cilin u krijua Instituti i Lartë i Arteve, sot Akademia e Arteve.
Fondi fillestar i saj ishte ai i bibliotekës së Konservatorit, të Teatrit Popullor, që përmbante gjithashtu fond të dhuruar nga dashamirësit dhe donatorët. Në vitin 1988, biblioteka kaloi në mjedise të reja dhe bëri riorganizim në menyrën e sistemimit të materialeve dhe të përcjelljes së informacionit. Në vitin 2001 u bë riorganizimi i bibliotekës me futjen e teknologjisë së re dhe shërbimeve të reja. Ajo është në funksion të procesit mësimor të Akademisë së Arteve, institucioneve të artit, shkollave të artit, artistëve dhe studiuesve në vendin tonë. Ajo ka një fond mbi 60.0000 volume dhe pjesa më e madhe e tij është unikale. Kjo bibliotekë disponon në koleksionin e saj materiale në formate të ndryshme të printuara dhe audiovizuale. Koleksionit i bëhet përpunimi shkencor bibliografik konform standardeve ndërkombëtare duke përdorur AACR2, UDC (sistemi i klasifikimit),ISBD(International Standard Bibliographic Description).

Koleksionet kryesore të saj janë:
Koleksioni i muzikës: fondi referues; libra(teori muzikë); partitura; parte instrumentale; parte orkestrale; periodik; kaseta; CD-Roms; bobina; librete; opera; parte vokale.
Koleksioni i dramës: fondi referues; libra(teori dramë); drama; përkthime; komedi; letërsi të huaj dhe shqipe; periodik.
Koleksioni i artit figurativ: fondi referues; libra (teori arti figurativ); piktura; skulptura; vizatime; grafik; fotografi; qeramika; arkitekturë. Koleksioni i rëndësishëm janë edhe punimet teorike universitare dhe pasuniversitare të studentëve dhe pedagogëve të Akademisë. Një vend të rëndësishëm në fondin e saj zënë dorëshkrimet e kompozitorëve shqiptarë, të blera në vite nga kjo bibliotekë.

Misioni dhe politikat e saj
Biblioteka i shërben një numri të madh lexuesish:
studentëve dhe pedagogëve të Akademisë së Arteve, nxënësve të Liceut “Jordan Misja”, studiuesve të artit, punonjësve të institucioneve të artit ( Kinostudio, Radiotelevizioni, Galeria e Arteve, Teatri i Operas dhe Baletit etj.) dhe dashamirësve të artit. Ajo është një bibliotekë universitare, speciale dhe ndihmon drejtpërsëdrejti në formimin e artistëve të rinj. Në shoqërinë e informacionit, lexuesve u jepet mundësia të luajnë një rol aktiv në shoqëri, prandaj lind nevoja e një strategjie për kthimin e bibliotekave në qendra informacioni.
Biblioteka e Akademise së Arteve po ofron strategji të reja për të përballuar sfidat e kohës dhe për të përmbushur misionin e saj. Realizimi i kësaj strategjie arrihet nëpërmjet futjes së teknologjisë së re dhe shërbimeve të reja.
Këtij qëllimi i kanë shërbyer projektet që ka zbatuar kjo bibliotekë me mbështetjen e donatorëve, si fondacionit SOROS, Prohelveties, Akademisë së Arteve, Shtëpisë Botuese “Emerson etj.
Ky lajm është publikuar: 06/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›