Projekt 2.7 milionë euro për integrimin e romëve
Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta në bashkëpunim me organizatat e OKB-së që veprojnë në Shqipëri, prezantojnë projektin
Për herë të parë në Shqipëri hartohet një projekt për integrimin e romëve në shoqëri dhe për ruajtjen dhe promovimin e identitetit e tyre të veçantë. Projekti është prezantuar dje nga ministri i Punës, z. Spiro Ksera, dhe përfaqësuesit e OKB-së në Shqipëri, znj. Gulden Turkoz-Koslet, në kuadër të ditës ndërkombëtare të romëve. Programi në fjalë është i fokusuar në mobilizimin e komunitetit për zbatimin e projekteve të infrastrukturës në zonat ku është i përqendruar komuniteti rom, regjistrimi i anëtarëve të këtij komuniteti, mbrojtja e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe format më të këqija të punës, sigurimi i arsimimit në mosha të hershme për fëmijët, promovimi i punësimit nëpërmjet ofrimit të kurseve profesionale etj. Koordinatorja e OKB-së në Shqipëri, znj. Gulden Turkoz-Koslet, u shpreh se integrimi i romëve në shoqëri është një sfidë e OKB-së dhe e shtetit shqiptar. Ndërkohë që Shqipëria po ecën drejt integrimit Evropian, OKB-ja ka zgjeruar dhe thelluar asistencën e saj në fushën e të drejtave të njeriut dhe përfshirjes sociale, duke e shoqëruar procesin e integrimit politik dhe ekonomik të Shqipërisë me një axhendë të fuqishme për integrim social. Puna e OKB-së në fushën e përfshirjes sociale adreson pabarazitë dhe varfërinë e minoriteteve rome dhe egjiptiane dhe i përgjigjet problemeve shumë dimensionale me të cilat ato përballen, tha ajo pas prezantimit të projektit. Nga ana e tij, ministri Ksera u shpreh se ky projekt do të ndihmojë në masë të madhe komunitetin duke rritur aksesin e shtetasve romë ndaj shërbimeve shtetërore. Nënshkrimi sot i marrëveshjeje me agjencitë e OKB-së parashikon fillimin e një projekti të rëndësishëm i fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës së zonave në të cilat banon komuniteti rom dhe egjiptian, në regjistrimin, tërheqjen e fëmijëve në arsim, rritjen e aksesit në shërbimin parësor, në formim profesional dhe punësim për të rriturit, tha Ksera. Ai deklaroi se integrimi dhe përfshirja e komunitetit rom në jetën social-ekonomike dhe kulturore të vendit përbën një nga prioritet e politikave të qeverisë shqiptare. Po dje, ministri Ksera përuroi një segmenti rrugor në lagjen Rrapishtë të Elbasanit, zonë kjo e banuar kryesisht nga komuniteti rom. Përmirësimet e infrastrukturës së lagjes suaj janë pikërisht dëshmi e realizmit të objektivave të qeverisë për përmirësimin e jetës së komunitetit rom, - u shpreh më tej Ksera. Sipas UNDP-së, në Shqipëri statistikat për komunitetin rom tregojnë se varfëria midis minoriteteve rome dhe egjiptiane është rezultat i përjashtimit social dhe diskriminimit. Një studimi i PNUD-it i vitit 2006 për nevojat sociale të romëve në Shqipëri tregon se të ardhurat mesatare të një familjeje rome janë 68 euro në muaj, ndërkohë që të ardhurat mujore të një familjeje jorome në të njëjtin rreth janë 175 euro. Sa i përket kushteve të jetesës, një studim i vitit 2005 i Bankës Botërore tregon se mbi 40% e familjeve rome dhe 30% e familjeve egjiptiane nuk kanë ujë të pijshëm. Mungesa e strehimit konsiderohet problemi i dytë më i madh pas ushqimit. Ata strehohen në shtëpi të mbipopulluara dhe ku mungojnë pajisjet elementare si kanalizimet dhe uji i pijshëm. Në zonat ku janë përqendruar romët, familjet jetojnë në kasolle ose në ndërtesa të braktisura që më parë kanë qenë pronë e shtetit, bën të ditur PNUD-i. Sa i përket arsimimit, studimi i PNUD-it i vitit 2006 për nevojat sociale të romëve në Shqipëri tregon se 55% e romëve të moshës 15-vjeçare ose më të vegjël janë analfabetë krahasuar me vetëm 2% të popullsisë jorome. Studimi i vitit 2005 i Bankës Botërore për romët dhe egjiptianët në Shqipëri bën me dije: Nga përjashtimi social në përfshirjen sociale, tregon se 64% e romëve dhe 24% e egjiptianëve të moshës 7-20 vjeç nuk kanë ndjekur kurrë në shkollë. Situata e komunitetit rom në Shqipëri, por edhe në vendet e rajonit ka qenë shpeshherë në qendër të kritikave të organizatave ndërkombëtare. Për më tepër, ndonëse në vendin tonë janë organizuar klasa të posaçme për romët, ende asnjëra prej tyre nuk jep mësim të gjuhës amtare të kësaj pakice etnike të Shqipërisë.