E Diel, 1 Nëntor 2026

Uto Ughi i famshëm

Violinisti me famë botërore, Uto Ughi, për të tretën herë në Tiranë; muzikë nga Boccherini, Mozart e Paganini

Instituti Italian i Kulturës në Tiranë ka intensifikuar veprimtaritë kulturore artistike në kuadër të programit Italia dhe Shqipëria 2010 Dy popuj, Një det, Një miqësi. Muzika, kinemaja, teatri dhe baleti do të përfaqësohen me emrat më të shquar të skenës italiane, duke u mundësuar artdashësve të kryeqytetit një larmi koncertesh, shfaqesh dhe veprimtarish të tjera interesante, që njëkohësisht synojnë promovimin e kulturës italiane në vendin tonë. Pas suksesit të koncertit në TOB disa net më parë të pianistit të famshëm Michele Campanella, i njohur si njëri prej interpretuesve më të mëdhenj botërorë të Lisztit, nesër, adhuruesit e muzikës do të kenë mundësinë të shijojnë koncertin e M° Uto Ughi, njëri prej violinistëve italianë më të njohur në nivel ndërkombëtar. Është e treta herë që ky violinist italian me famë botërore do të japë në Tiranë një koncert recital me disa nga veprat më të njohura të literaturës violinistike ndërkombëtare. Ai u shoqërua nga Orkestra Fizarmonike e Romës duke ngjallur interesin e veçantë të publikut shqiptar. Ka qenë pikërisht falë suksesit dhe mikpritjes së ngrohtë në dy koncertet e mëparshme që Instituti Italian i Kulturës në Tiranë mundësoi për të tretën herë mbërritjen në Tiranë të këtij artisti të famshëm, edhe në koncertin e mbrëmshëm. M° Uto Ughi është një prej atyre artistëve të mëdhenj që u ka buzëqeshur suksesi që në moshë të re. Falë talentit të rrallë, ai është gjendur për herë të parë në publik që në moshën 7-vjeçare. M° Ughi, i cili ka shfaqur një talent të jashtëzakonshëm që në fëmijërinë e hershme, ka studiuar nën drejtimin e Gorge Enescu-t, mësues i Yehudi Menuhin-it dhe ka nisur turnetë e tij të mëdha evropiane duke dhënë shfaqe në kryeqytetet më të rëndësishme. Ka interpretuar në gjithë botën, në Festivalet kryesore me orkestrat simfonike më në zë ndër të cilat Orkestra Concertgebouw e Amsterdamit, Boston Symphony Orchestra, Philadelphia Orchestra, New York Philharmonic, Washington Synphony Orchestra e mjaft të tjera, nën drejtimin e dirigjentëve si Barbirolli, Bychkov, Celibidache, Cluytens, Chung, Ceccato, Colon, Davis, Fruhbeck de Burgos, Gatti, Gergiev, Giulini, Kondrascin, Jansons, Leitner, Lu Jia, Inbal, Maazel, Masur, Mehta, Nagano, Penderecki, Pretre, Rostropovich, Sanderlin, Sargent, Sawallisch, Sino poli, Slatkin, Spivakov, Temirkanov. Vlen për tu theksuar fakti se prania e tij përbën lajm edhe në kryeqytetet e mëdha sepse Uto Ughi nuk është i dhënë vetëm pas muzikës, por ndodhet në pararojën e jetës sociale të vendit, ku angazhimi i tij i kushtohet mbi të gjitha ruajtjes së trashëgimisë artistike kombëtare. Ky artist i madh ka themeluar festivalin Omaggio a Venezia, që ka për qëllim mbledhjen e fondeve për restaurimin e monumenteve historike të qytetit lagunor. Pas kësaj eksperience, festivali Omaggio a Roma (nga 1999 deri në 2002) ka si qëllim vlerësimin e talenteve të reja të formuara në konservatorët italiane si dhe përhapjen e pasurisë së madhe muzikore ndërkombëtare, me koncerte të organizuara falas për publikun. Ide të tilla, të filluara në vitin 2003, ndiqen sot nga festivali Uto Ughi për Roma ku Ughi është ideatori, themeluesi, dhe drejtori artistik. Prej shumë vitesh mbështetës i UNESCO-s, në korrik të vitit 2009 ka dhënë një koncert, të regjistruar nga RAI UNO, në zemër të dolomitëve, në një pasuri botërore të mrekullueshme, ku rritet një lloj bredhi i rrallë i përdorur për ndërtimin e violinave si dhe të harqeve me vlerë. Në vitin 1997, Presidenti i Republikës Italiane i jep dekoratën Cavaliere di Gran Croce për meritat e tij artistike. Kohët e fundit është emëruar nga Kryeministria President i komisionit të ngarkuar për studimin e një fushate komunikimi në favor të përhapjes së muzikës klasike pranë publikut të të rinjve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›