E Shtunë, 31 Tetor 2026

Romët e Fierit kërkojnë vëmendjen e institucioneve

09/04/2010 Përmirësimi i kushteve të jetesës

Shoqata “Roma Aktive Albania”, Drejtoria Rajonale Arsimore Fier, qendra sociale “Murialdo”, si dhe Bashkia Fier kanë organizuar gjatë ditës së djeshme në këtë qytet një aktivitet të larmishëm artistiko-kulturoro-sportiv, në kuadrin e përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare të Romëve. E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe zëvendësministrja e Arsimit dhe Shkencës, Nora Malaj. “Takimi ka për qëllim jo vetëm përkujtimin e Ditës Ndërkombëtare Rome, por mbi të gjitha ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe në veçanti të klasës politike, për situatën e vështirë social-ekonomike që përjeton komuniteti rom, për të dhënë një imazh të ri, për të ndërgjegjësuar shoqërinë dhe politikën se romët janë qytetarë evropian. Kanë gjuhën, traditën, kulturën dhe vlerat e tyre. Integrimi i tyre në shoqëri është një e drejtë themelore dhe i shërben zhvillimit dhe qytetërimit të shoqërisë,” tha kryetari i shoqatës, Latif Kazanxhiu. Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit ka premtuar impenjimin dhe predispozicionin e Qeverisë për integrimin e gjithanshëm të komunitetit rom. “Romët janë pjesë e shoqërisë dhe kanë nevojë për vëmendje, kanë nevojë për përkrahje, kanë nevojë për dashuri”. Sipas Kazanxhiut, zyrtarisht romët kanë ardhur në Shqipëri rreth vitit1523. “Kjo, sipas statistikave dhe defterëve turq, ku numëroheshin 374 familje rome. Realisht romët mendohet të kenë ardhur200-300 vjet më parë se kjo periudhë”. Fieri konsiderohet kryeqyteti i romëve, pasi banojnë rreth 8000-10.000 romë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›