E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekt për zhvillimin e pylltarisë

Nga Express më 09 qershor 2011 në ora 13:18

Ministria e Bujqësisë, e Pylltarisë dhe e Zhvillimit Rural në bashkëpunim me organizatën FAO dhe përfaqësuesit e Njësisë për Zgjerim të BE-së, prezantuan sot projektin më të ri për mbrojtjen e pyjeve në Kosovë.

Ky projekt realizohet në kuadër të strategjisë 2010/20 dhe do të mbështetet gjatë tri viteve me 3 milionë euro nga Finlanda.

Drejtuesit e MBPZHR sikurse me parë edhe në këtë rast kanë theksuar se sektori i pylltarisë është me rëndësi të madhe për Kosovën, prandaj edhe do të jetë me prioritet brenda planit për zhvillim ekonomik të vendit tonë.

Ministri Blerand Stavileci bëri të ditur se projekti më i ri “Mbështetje për zbatimin e politikave dhe strategjisë për pylltari në Kosovë” do të ketë tri faza të realizimit, si në menaxhim, planifikim dhe zhvillim të kapaciteteve në sektorin privat. Ai shprehu bindjen se pas këtyre fazave do të ketë zhvillim më të madh në këtë sektor.

“Ky projekt që po e nisim sot do të ndihmojë zbatimin e aktiviteteve të shtyllës së parë, pra aktivitetit të parë dhe asaj të tretë dhe besojmë se do të ndihmoj fuqishëm jo vetëm realizimin e këtyre aktiviteteve, por edhe një pjese tjetër të aktiviteteve që lidhen me realizimin e caqeve finale që dalin nga kjo strategji”, ka thënë ai.

Kurse zëvendësdrejtori i Njësisë për Zgjerim të BE-së në Ballkanin Perëndimor, Ismo Kolehmainen ka thënë se një menaxhim i mirë i pyjeve luan rol kyç edhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik.

“Në bazë të këtyre vlerave të pyjeve në Kosovë, Kosova i vlerëson pyjet si një thesar kombëtar dhe një trashëgimi kombëtare, domethënë projekti i ynë do të ndikoj në zhvillimin e qëndrueshëm dhe strategjik të tokave pyjore. Ky objektiv do të arrihet duke forcuar institucionet të cilat qeverisin pyjet”, theksoi Kolehmainen.

Institucionet e Kosovës janë duke punuar në zbatimin e strategjisë së pylltarisë për vitin 2010-2020 dhe në përgatitjen e infrastrukturës ligjore për këtë sektor me rëndësi të veçantë.

Projektin e ri, “Mbështetje për zbatimin e politikave dhe strategjisë për pylltari në Kosovë” për tri vite me 3 milionë euro do ta mbështes Finlanda. Në Kosovë llogaritet që sipërfaqja pyjore është 460 mijë hektarë apo 40 për qind e sipërfaqes së përgjithshme. (KosovaPress)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›