E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjoba kolektive për biznesin e bukës në Vlorë

SHKRUAN: Blerina Hoxha 29-09-2011 11:50

Ndërmarrjet e prodhimit të bukës në qytetin e Vlorës janë gjobitur dje me nga 10 mijë lekë secila nga Autoriteti i Konkurrencës (AK) për shkak se kishin rënë dakord për rritjen e çmimit të bukës me 20 lekë, duke shkelur në këtë mënyrë rregullat e konkurrencës së lirë. Prodhuesit e bukës në qytetin e Vlorës në mbledhjen e datës 21.03.2011 kishin vendosur që çmimi i bukës do të rritej me 20 lekë si dhe kishin hartuar një vendim, i cili u shpërnda në të gjitha furrat e bukës që operojnë në qytetin e Vlorës, ka konstatuar Autoriteti i Konkurrencës gjatë procesit të hetimit. Si rezultat i këtij veprimi, AK vendosi të gjobisë në shumën 10 mijë lekë 16 ndërmarrjet që kanë zbatuar marrëveshjen për fiksimin e çmimit, si dhe me 20 mijë lekë gjobë 4 ndërmarrjet që nuk kanë respektuar vendimin e Komisionit të Konkurrencës për masat e përkohshme.

Prodhuesit e bukës në qytetin e Vlorës në mbledhjen e datës 21.03.2011 kishin vendosur që çmimi i bukës do të rritej me 20 lekë si dhe kishin hartuar një vendim, i cili u shpërnda në të gjitha furrat e bukës që operojnë në qytetin e Vlorës. Gjatë inspektimeve rezultoi se shumë subjekte nuk deklarojnë saktë shitjet e kryera, duke mos lëshuar kuponin tatimor për të gjitha shitjet. Referuar kuponave tatimorë, vihet re se disa subjekte në orët e mbasdites kanë lëshuar kupona me kërkesën e inspektorëve të Autoritetit të Konkurrencës vetëm 4, 6, 8 apo 11 kupona tatimore, çka tregon qartë shkallën e lartë të informalitetit. Gjithashtu, kjo sjellje përbën konkurrencë të pandershme ndaj prodhuesve të bukës që i deklarojnë saktë të gjitha shitjet e kryera, si dhe deformon analizën e konkurrencës së këtij tregu. Përveç fiksimit të çmimeve, AK ka vërejtur edhe një sërë problemesh në aktivitetin e ndërmarrjeve të bukës, sidomos përsa i përket informalitetit. Sipas AK, shkalla e lartë e informalitetit shprehet në ekzistencën e bizneseve të pa licencuara dhe mosraportimin e saktë të faturave tatimore, mungesa e bilanceve për 12 nga 20 subjekte nën hetim. Në njoftimin zyrtar Autoriteti i Konkurrencës është shprehur se për këtë informalitet është njoftuar disa herë Drejtoria Rajonale e Tatimeve Vlorë, por situata duket se ka mbetur e pandryshuar. Nisur nga kjo situatë, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve të evidentojë shkallën e lartë të informalitetit dhe përdorimin e kasave fiskale te subjektet që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në prodhimin dhe tregtimin e bukës në qytetin e Vlorës. Mirëpo, sipas një vëzhgimi të gazetës MAPO, situata paraqitet po kaq e rëndë edhe në kryeqytet. Shumë njësi të shitjes së bukës nuk e përdorin kasën, por edhe ato që e përdorin lëshojnë fatura me gjysmën e çmimit. Kështu një bukë me çmimin real 80 lekë, sipas faturës që lëshon shitësi kushton vetëm 40 lekë me gjithë TVSH. Gjithashtu nuk rakordon koha e lëshimit të faturës me kohën reale të blerjes së bukës. Informaliteti në këtë pikë në fakt është reflektuar edhe në bilancin e Tatimeve, ku të ardhurat e këtij dikasteri këtë vit për buxhetin e shtetit janë ulur në mënyrë të dukshme.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›