E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rivaliteti, forca e PS-së, për të mundur Saliun duhen të gjithë

Kryetari i opozitës: “Nuk shoh, në fakt nuk ka kund tjetër një forcë e hapësirë që mund ta japë këtë shembull emancipues për shoqërinë shqiptare, përveçse në Partinë Socialiste”.

TIRANË Në Partinë Socialiste ka vend për të gjithë. Kryetari i PS-së, Edi Rama, përcolli dje përmes analizës javore se rivalitetet në PS duhet të bëhen forca e kësaj force politike.

“Rivalitetet brenda PS-së mund e duhet të bëhen forca dhe jo të mbeten dobësia e saj, duke i dhënë një tjetër përmbajtje e formë zhvillimit të tyre në funksion të qëllimit të përbashkët. Jo thjesht sepse për të mundur Saliun duhen të gjithë, po sepse për të ndërtuar një Shqipëri ndryshe duhet një shembull i ndryshëm i të bashkëjetuarit në një bashkësi ku të gjithë kanë vendin e vet e respektojnë vendin e tjetrit. Dhe nuk shoh, në fakt nuk ka kund tjetër një forcë e hapësirë që mund ta japë këtë shembull emancipues për shoqërinë shqiptare, përveçse në Partinë Socialiste”,- shkruan Rama. Për pasojë, kryetari i opozitës sqaron në editorialin e tij të radhës, se problemi nuk janë rivalitetet, por fakti i të bërit keq për shkak të tyre. “...Hapësirën brenda nesh duhet ta mbushim dalëngadalë, por pa humbur kohë me pasionin e politikës dhe entuziazmin e qëllimit të përbashkët, duke punuar si një skuadër, bashkëjetuar si një familje, debatuar si të afërm e duke u marrë vesh si të rritur. Kjo e jona s’është një parti e vasalitetit, po e rivaliteteve. Ka qenë kështu, është kështu, do jetë kështu. Në të gjitha nivelet. Por problemi ynë s’janë rivalitetet. Problemi ynë është të jetuarit keq të tyre, të mësuarit keq me to, të bërit keq për shkak të tyre. Në të gjitha nivelet”, tha ai. Rama ka shuar çdo hamendësim se kryesia e re ishte si një listë e bërë me dore paraprakisht, ku ishte i gërshetuar zëri kritik me atë zyrtar.

“Teksa zhvillohej dje procesi zgjedhor në Asamblenë e re Kombëtare dhe shihja emocionet e një gare të fortë brenda partisë e një mikrofushatë që zhvillohej për të mbështetur njërin a tjetrin deri në mbylljen e votimit, pastaj më mbrapa edhe numërimin e hapur krejt transparent, nuk mund të mos mendoja për hendekun e madh mes Partisë Socialiste e forcave të tjera politike në Shqipëri. Dhe natyrisht s’është vetëm çështje procedurash demokratike, po kulture demokratike në radhë të parë, pavarësisht se një kulturë e brishtë dhe ende e mangët në shumëçka, krahasimisht me botën e lirë ku duam të integrohemi”,- shkruan Rama. Ai thekson se PS-ja është e vetmja parti në Shqipëri që mendon, debaton, dhe prodhon kulturë demokratike. Rama nënvizon gjithashtu se për ta bërë programin fitues duhet që në radhë të parë ky program të trajtohet si axhenda e përbashkët e gjithsecilit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›