E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi hap dyert, nisin në orën 10 homazhet

Për ceremoninë zyrtare të ditës së sotme kanë konfirmuar praninë e tyre Prici Paul i Rumanisë së bashku me Princeshën, Baroni Rafael Henri Estramant, si dhe përfaqësues nga Unioni Monarkist Italian

Kuvendi i Shqipërisë do të hapë sot paradite dyert për të kryer homazhet në nderim të të ndjerit Leka Zogut I. Në orën 10:00, arkivoli me trupin e pajetë të Mbretit Leka I do vendoset në oborrin e selisë së Parlamentit, ku 4 përfaqësuesit e feve Islame, Ortodokse, Katolike dhe Bektashiane do të bëjnë lutje për shpirtin e Mbretit Leka I. Pas lutjeve do të ketë një fjalim lamtumire dhe nderimet ushtarake ceremoniale nga Garda e Republikës.

Më tej, kortezhi i përmotshëm do të niset drejt varrezave të Sharrës, ku trupi i pajetë i Mbretit Leka I do të prehet pranë eshtrave të Mbretëreshës Geraldinë dhe Mbretëreshës Suzanë. E gjithë ceremonia funebre do të organizohet sipas Protokollit të Shtetit, ndërkohë që nderimet për Lekën I do të jenë të si ato që rezervohen për kreun e shtetit. Trupi i Leka Zogut I do të përcillet për në banesën e fundit në Varrezat e Sharrës ku ka vendin e tij, pranë nënës dhe Suzanës, i vendosur mbi shtratin e topit, ndërsa në arkivol si sende me vlerë do t’i futen të gjitha medaljet që ai ka marrë nga personalitete të ndryshme gjatë jetës. Në përputhje me përcaktimet e ceremonialit zyrtar, arkivoli do të vendoset në shtratin e topit i mbuluar me flamurin kombëtar, ndërkohë që ulja e arkivolit në varr do të shoqërohet me 21 të shtëna nga truproja e nderit. Për ceremoninë zyrtare të ditës së sotme kanë konfirmuar praninë e tyre LT Prici Paul i Rumanisë së bashku me Princeshën, Baroni Rafael Henri Estramant, si dhe përfaqësues nga Unioni Monarkist Italian. Në nderim të të ndjerit Leka Zogu I, qeveria ka vendosur që e shtuna të jetë ditë zie kombëtare, për këtë arsye, në të gjitha institucionet, shtetërore dhe publike, në orën 12:00 flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize dhe do të mbahet një minutë heshtje. Po kështu, gjatë zhvillimit të ceremonialit Radio-Televizioni Publik Shqiptar do të transmetojë muzikë funebre. Leka Zogu I është ndarë nga jeta në moshën 72-vjeçare, pas një beteje disaditëshe me jetën dhe vdekjen në repartin e terapisë intensive pranë Pavijonit të Neurokirurgjisë në spitalin “Nënë Tereza”. Leka Zogu I ka mbyllur sytë rreth orës 08:45 të mëngjesit të së mërkurës, ndërkohë që shkak është bërë arresti i përsëritur kardiak.

Homazhet, rrugët që bllokohen nga ora 8:00 deri në 13:00

Ditën e sotme nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 13.00 do të ndalohet qarkullimi i makinave në disa rrugë të kryeqytetit, për shkak të ceremonisë mortore të Leka Zogut I. Policia e Tiranës nëpërmjet një komunikimi për mediat bën me dije se për shkak të homazheve që do zhvillohen në sallën e seancave të Parlamentin në nder të pretendentit për fronin mbretëror, Leka Zogut I, do të merren masa për moslejimin e krijimit të trafikut. Kështu, Policia Rrugore nga ora 08.00 deri në orën 13.00 do të bllokojë trafikun dhe moslejimin e parkimit të mjeteve në segmentin rrugor përgjatë rrugës “Xhorxh Ë.Bush” nga sheshi “Sulejman Pasha” deri te bulevardi “Zhanë d’Ark”, ura e Rrugës së Elbasanit. Sipas bluve, thuhet se këto masa merren për të lejuar përfundimin e ceremonisë mortore të Leka Zogut I me qetësi dhe rend të plotë. Bazuar në shkresën e Drejtorisë së Protokollit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, datë 01.12.2011, dërguar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, njoftohet se në datën 03 dhjetor 2011, ora 10.00–12.00, organizohen homazhe në hollin qendror të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe më pas zhvillohet ceremonia mortore për vdekjen e Leka Zogut I, për të përcjellë trupin i tij për në banesën e fundit. Ceremonia do të mbahet konkretisht në itinerarin: nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë – Bulevardi – Zhanë d’Ark – Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” – sheshi “Skënderbej” – Rruga e Kavajës – Varrezat e Sharrës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›