Projektbuxheti 2023/ Presidenca te “Ligjet”: Fond shtesë prej 497 mln lekësh për rikonstruksionin e godinës, pagat dhe shtimin e stafit

Presidenca ka kërkuar një fond shtesë prej 497 milionë lekë për të mbuluar shpenzimet operative, shtuar stafin, rritur pagat dhe rikonstruktuar godinën.
Sekretari i përgjithshëm i Presidencës, Florian Kali tha në Komisionin e Ligjeve se godina është e amortizuar dhe kërkon një rikonstruktim të plotë pasi ndërhyrja e fundit është bërë para 14 vitesh. Gjithashtu Presidenca do të shtojë stafin me 10 persona gjatë 2023.
“Këto janë kërkesa minimale për vijimin normal të punës. Nevoja për rikonstruksionin e godinës është bërë 14 vite më parë, ambiente e punës janë të papërshtatshme, na duhen pajisje logjistike si ngrohja, kondicionimi dhe kompjuterë se janë të amortizuara. Këto ndërhyrje në llogarinë tonë arrijnë në një vlerë 407 mln lekë. Niveli i pagave nuk janë aty ku duhet. Nga analiza kemi vlerësuar një shtesë në strukturë prej 10 personash në 2023. Këto ndryshime kërkojnë një kosto shtesë rreth 36 mln lekë. Gjithashtu do të kërkonin 50 mln lekë për shpenzime operative që lidhet me punën e Presidentit brenda dhe jashtë vendit. Në total do të na duheshin shtesë 497 mln lekë për institucionin e Presidencës”, tha Kali.
/rtsh.al/