E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Primaret/ Vokshi: Proces gjithpërfshirës, simpatizantët mund të votojnë kandidatin

Kryetarja e Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, Albana Vokshi në një konferencë me gazetarët është ndalur te procesi i primareve, duke theksuar se për do të zhvillohen në të 72 degët e Partisë Demokratike. Vokshi deklaroi se kushdo që ka mbështetjen e elektoratit opozitar mund të kandidojë sipas rregullave të përcaktuara.

“Dua të theksoj fakti që primaret janë një proces gjithëpërfshirës. Është risi. Për herë të parë është aplikuar nga Partia Demokratike në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, në 6 bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet. Por tashmë primaret do të zhvillohen në të 72 degët e Partisë Demokratike.

Ato jo vetëm nuk lënë jashtë askënd, por kushdo që beson që ka mbështetje në elektoratin opozitar, por jo vetëm, që beson se ka mbështetje mund të kandidojë sipas rregullave të caktuara që ne do t’i shpjegojmë edhe sot. Çdo qytetar që beson se vota e tij vlen, mund të regjistrohet si simpatizant në afatet e përcaktuara dhe të vendosë, pra të votojë për kandidatin për qytetar të parë në bashkinë ku jeton”, tha Vokshi.

Kjo e fundit theksoi se primaret do u tregojnë njëherë e mirë qytetarëve se PD është alternativa më e mirë për të qeverisur bashkitë dhe vendin.

“Primaret janë themeli i besueshmërisë së Partisë Demokratike, e cila lindi dhe vazhdon të jetë parti e votës së lirë, parti e njerëzve të lirë. Primaret do t’u tregojnë edhe njëherë qytetarëve, përtej Partisë Demokratike, se ne jemi alternativa më e mirë për të qeverisur jo vetëm bashkitë, por për të qeverisur vendin. Primaret vendosin që pushteti nuk ju takon më kryetarëve, pra kryetarokracia ka marrë fund një herë e mirë në PD; pushteti nuk ju takon politikanëve por ai ju takon anëtarëve, qytetarëve. Janë ata që me votën e tyre do të përcaktojnë se kush janë kandidatët për kryetar bashkie që e kanë besimin e tyre, duke ju dhënë mesazhin se PD është në shërbim të qytetarëve me më të mirët e shoqërisë”, tha Vokshi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›