E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ilir Alimehmeti shpall kandidaturën për primaret në PD: Të shërojmë Tiranën e sëmurë

Pas Belind Këlliçit dhe Gert Bogdanit, edhe Ilir Alimehmeti do të jetë në garë për primaret në Partinë Demokratike.

Në një deklaratë për media, epidemiologu Alimehmeti ka prezantuar kandidaturën për primare për Bashkinë e Tiranës ndërsa thekson se kryeqyteti është i sëmurë dhe në gjendje krize.

“Unë jam Dr. Ilir Alimehmeti, mjek dhe pedagog, lindur në Tiranë në vitin 1979, nga dy prindër mjekë me eksperiencë të gjatë mbi 40 dhe 50-vjeçare. Me eksperiencën time pothuajse 15-vjeçare si mjek dhe pas formimit si epidemiolog klinik në Europë Perëndimore, vendosa të rikthehem në Tiranë në vitin 2014 për t’i vënë frytet e punës, mundit dhe djersës në shërbim të komunitetit tim, në edukimin dhe shërimin e tij, si profesionist shëndetësor dhe si pedagog.

Me të njëjtën ndërgjegje qytetare, me të njëjtat vlera, me të njëjtin seriozitet, duke ndjekur hapat e ndritur të prindërve të mi  më parë, vij këtu para jush për t’ju dedikuar plotësisht Tiranës dhe komunitetit të saj, pasi Tirana jonë është e sëmurë dhe në gjendje krize miqtë e mi. Por Tirana i ka të gjitha mundësitë për t’u shëruar dhe ringjallur, vlerat dhe bukuria e saj mund të ripërtëriten, por kjo mund të ndodhë vetëm përmes punës, mundit dhe djersës, përmes ndërgjegjes qytetare dhe kontributit të çdokujt prej nesh që ka vendosur të ndërtojë jetën në Tiranë, përfshirë këtu edhe mua. Sot, në shërbim të komunitetit, unë kandidoj në zgjedhjet primare për Bashkinë e Tiranës pranë Partisë Demokratike të Shqipërisë, me besimin e plotë se procesi i Primareve do të jetë plotësisht transparent, i besueshëm dhe shpresëndjellës”, tha Alimehmeti.

Më tej, Alimehmeti ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e 12 nëntorit që do të mbahet nga PD. Alimehmeti ka ftuar qytetarët në Protestën Kombëtare për të filluar sipas tij, ç’rrënjosjen e së keqes së ka pllakosur vendin.

“Së fundmi, dua të bëj një thirrje të fortë për pjesëmarrje  masive në protestën kombëtare të datës 12 nëntor 2022 pikërisht në Tiranën tonë, për të filluar çrrënjosjen e të keqes që ka pllakosur në çdo prag.  Unë ju ftoj ju, të merrni pjesë masivisht në Protestën Kombëtare të 12 Nëntorit! Unë ju ftoj ju, të merrni pjesë masivisht në  procesin e Primareve! Unë ju ftoj ju, ta shërojmë të gjithë së bashku Tiranën tonë! Tirana është e jona! Faleminderit”, tha Alimehmeti.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›