Aleancistët rikthehen tek e djathta, nënshkruhet marrëveshja paraelektorale me PD-në
Aleatë në zgjedhje dhe në qeverisjen e vendit
TIRANE - Partia Aleanca Demokratike vendos të largohet nga kampi i majtë politik, pas 11 vitesh, për t’u rikthyer në identitetin e saj politik, përkrah Partisë Demokratike dhe koalicionit të djathë në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit.
Kjo është konfirmuar dje gjatë një takimi që lideri i Partisë Demokratike Sali Berisha, zhvilloi me kreun e PAD, Neritan Ceka. Neritan Ceka i ofroi zyrtarisht kreut të mazhorancës Berisha bashkëpunimin e forcës së tij në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ofertë që u pranua nga shefi i selisë blu.
Në këtë kuadër kryetari i PD-së Berisha dhe ai i PAD-së Ceka, dolën në përfundimin që në zgjedhjet e qershorit 2009 këto dy forca politike do të paraqiten si aleatë elektoralë dhe në qeverisjen e vendit. Të dy personalitetet politike theksuan se kjo erdhi si një domosdoshmëri që buroi nga qëllimet dhe programet e përbashkëta të këtyre dy forcave politike. “Sjell mendimin e Asamblesë së Aleancës që më ka autorizuar për këtë negociatë. Kanë dhënë alternativën e qartë për bashkëpunimin dhe daljen bashkë në zgjedhje. Besoj se është një lajm i mirë edhe për Aleancën të marrë pozicionin përfundimtar dhe të fillojmë menjëherë të ndezim motorët e fushatës elektorale për një fitore të përbashkët”, tha Ceka.
Ndërsa lideri i mazhorancës Sali Berisha tha se “është një lajm shumë i gëzueshëm për PD, dhe për Aleancën dhe një lajm i mirë”. Ky takim u zhvillua në mirëkuptim dhe bashkëpunim të plotë.